E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje pret Robert Kuperin me domate

Aktivistë të Vetëvendosjes duke goditur me domate Kuper

Me detyrën për të nxitur zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, lehtësuesi i dialogut mes dy vendeve, Robert Kuper, ka vizituar dje Prishtinën, ku u prit me goditje domatesh nga qindra aktivistë të Vetëvendosjes. Kjo lëvizje gjithnjë ka qenë kundër dialogut, dhe e quan atë një projekt që i shërben vetëm palës serbe. Kuper, gjatë vizitës së tij në Beograd, ka mirëpritur gatishmërinë e palës serbe që me bisedimet e nivelit të lartë të zgjidhen problemet në Kosovë. Në protesta kundër vizitës së Kuperit mori pjesë edhe vetë lideri i VV, Albin Kurti. Ata bllokuan hyrjet kryesore të godinës së qeverisë, ku Kuper po zhvillonte takime me kryenegociatoren e Kosovës, Edita Tahiri dhe Kryeministrin Thaçi. Vizita e Kuperit ishte mbajtur e fshehtë, por VV arriti ta zbulojë axhendën e tij. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se arsyeja e kësaj proteste është kundërshtimi i bisedimeve, pasi sipas tij në këtë takim po përgatitet hedhja në bisedime e Veriut të Kosovës. Jo rastësisht Robert Kuper fillimisht vizitoi Beogradin… qeveritarët tanë po binden që të negociojnë Veriun e Kosovës, tha ai duke shtuar se Vetëvendosje do të kundërshtojë çdo pazarllëk të politikanëve të korruptuar, që i bëjnë pas shpinës së qytetarëve. Pas përfundimit të takimit me Edita Tahirin, ndërsa Robert Kuper dilte nga hyrja kryesore e godinës së qeverisë, ai u godit me domate të prishura nga aktivistët e Vetëvendosjes dhe u detyrua të kthehet pas. Kuper u largua nga një tjetër dalje e ndërtesës, pa u vërejtur nga protestuesit. Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar hedhjen e domateve ndaj Robert Kuperit, duke e quajtur këtë një veprim të ulët, që dëmton imazhin europian të Kosovës. Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian. Këto veprime janë të papranueshme, dhe si të tilla të dënueshme nga qeveria e Republikës së Kosovës, tha Thaçi. Edhe Thaçi priti dje në takim ndërmjetësin e BE-së, Kuper. Ky i fundit theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen sa më shpejt, që të ecet përpara me dialogun.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›