Bisedimet, Stefanoviç: Përfaqësimi nga Nikoliç, njohje e Kosovës
Shefi i ekipit negociator të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borko Stefanoviç ka deklaruar se nuk ka asgjë kundër që përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës të marrin pjesë në bisedime dhe se qeveria e Serbisë i ka thirrur serbët e Kosovës deri më tani katër herë që të marrin pjesë, por ata nuk kanë pranuar.
Për televizionin Vojvodina, ai është shprehur se nuk janë të sakta pretendimet e përfaqësuesve serbë të Kosovës se askush nuk i ka ftuar që të marrin pjesë në bisedime dhe ka thënë se kjo mund të vërtetohet në dokumentet që janë publike edhe në vetë faqen e internetit të qeverisë.
Stefanoviç ka përshëndetur idenë e presidentit të ri Tomisllav Nikoliç që bisedimet të ngrihen në nivel politik, por ka thënë se duhet parë se kush duhet të udhëheqë këto bisedime.
“Nikolliçi, apo dikush nga zyrtarët e tij, ndoshta Kërstimir Pantiç?”, ka pyetur Stefanoviç.
“Nëse presidenti Nikolliç vendos që vetë t`i udhëheqë këto bisedime, atëherë kjo është njohje e pastër e Kosovës. Shefi i shtetit është bartës i sovranitetit. Nëse ai merret vesh për diçka dhe ë nënshkruan, kjo është obligative. Nëse ai ulet dhe shtrëngon duart me ta, atëherë kjo i bie se jemi të barabartë”, ka thënë Stefanoviç.
Bisedimet mes Kosovës e Serbisë të lehtësuara nga Brukseli janë pezulluar deri në formimin e qeverisë së re në Serbi.