Jahjaga mban fjalim në “Frontiers in Development”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në hapjen zyrtare të konferencës “Frontiers in Development” të organizuar nga USAID, që po mbahet në Universitetin Georgetown në Uashington të SHBA-së.
Në panelin ku u diskutua për zhvillimin, sigurinë dhe demokracinë, Presidentja Jahjaga ishte së bashku me Presidenten e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, atë të Malawit, Joyce Banda, administratoren e UNDP-së, Helen Clark, dhe ish-presidenten e Irlandës, Mary Robinson.
Presidentja Jahjaga foli për proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, për procesin e rindërtimit të vendit pas përfundimit të luftës, atë të shtet ndërtimit dhe të demokratizimit të vendit, për çështjen e sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për rolin e gruas në shoqëri. Ajo gjithashtu foli edhe për ndihmën ndërkombëtare në procese të ndryshme për vendin, pastaj për sfidat globale dhe reflektimet e tyre në vend, thuhet në një njoftim per media te kabinetit te presidentes.
Në konferencë po merr pjesë edhe admirali James Stavridis, komandant i krahut Jugor të NATO-s si dhe ambasadorja amerikane për çështjet globale të grave, Melanne Verveer.
Konferenca e organizuar nga USAID do të vazhdojë punimet gjatë dy ditëve dhe presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot pasdite do të mbajë fjalën kryesore për zhvillimin, demokracinë dhe sigurinë globale në shekullin XXI.
Presidentja Jahjaga gjithashtu do t`u adresohet pjesëmarrësve në temën e zhvillimit të shoqërive në tranzicion