E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet me Serbine Krasniqi kunder Thacit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë hapur kundër bisedimeve politike me Serbinë, të cilat parashikohet të nisin pas përfundimit të bisedimeve teknike, në fund të këtij viti.Në favor të bisedimeve politike me Serbinë së fundmi janë deklaruar Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi por edhe partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa i pari që kundërshton ato është kreu i Kuvendit i cili konsideron se pas shpalljes së pavarësisë nuk ka arsye që të bisedohet me Serbinë për çështje politike.

“Bisedimet politike janë përmbyllur në Vjenë në vitin 2007 dhe 2008 është shpallur pavarësia e Kosovës dhe në këtë rrafsh unë nuk shoh arsye për të pasur bisedime politike”, tha Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se Kuvendi nuk është informuar zyrtarisht nga askush për mundësinë e bisedimeve politike me Serbinë. Ai kërkon nga të gjithë që për këtë çështje të respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe Rezolutën e miratuar në Kuvendi për bisedimet me Serbinë. 

 “Natyrisht ju e dinë që ne e kemi Kushtetutën dhe një Rezolutë që e kemi nxjerr për çka duhet të bisedohet e për çka nuk mund  të bisedohet. Madje më shumë në Rezolutë thuhet për çka nuk mund të bisedohet. Andaj duhet të ndryshohet kjo Rezolutë në Kuvend, për t’u nxjerr një Rezolutë tjetër për ët miratuar vazhdimin e bisedimeve politike por unë nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë”, theksoi ai.

Diplomatët perëndimorë i shohin bisedimet politike si rrugën e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu teknik, i cili është ndërprerë pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore dhe që ka dhënë pak rezultate konkrete, pritet të përfundojë pasi Kosova dhe Serbia të arrijnë konkluzionet e përbashkëta për çështjen e telekomunikacionit, energjisë elektrike dhe për pjesëmarrjen e Kosovën në iniciativat ndërkombëtare. Pas përfundimit të bisedimeve teknike, pritet të zhvillohen bisedimet politike në një format krejt tjetër nga ai i bisedimeve teknike.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›