E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet për qeverinë e re

Kryeministri aktual Berisha, i cili do të udhëheqë edhe qeverinë e re, duket se do të ftojë në përbërjen e saj jo vetëm pjesëtarë të partive parlamentare, por edhe të partive të tjera aleate me të cilat PD ishte në koalicion në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Në nivel ministrash do të jenë përfaqësuesit e PD-së, PR-së dhe PDI-së, ndërsa ata të partive jo parlamentare do të jenë në qeveri në nivele më të ulëta.

Nga ana e saj Lëvizja Socialiste për Integrim, ndoshta për shkak të ndryshimit të kursit të saj në raport me të djathtën, nuk po shfaq detyrimin për të sjellë në qeveri partitë e koalicionit të saj të majtë.

Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë bërë të ditur se ajo synon që në qeverinë e re të drejtojë dikasteret e shëndetësisë, arsimit dhe ekonomisë.

Është bërë gjithashtu e ditur se kreu i kësaj partie Ilir Meta, do të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm, por njëkohësisht do të drejtojë dhe partinë.

Sikurse është bërë e ditur, qeveria e re që pritet të krijohet, do të quhet “qeveria e integrimit evropian”. Ajo është qeveria e tretë e përbashkët midis të majtëve dhe të djathtëve, pas qeverisë së stabilitetit në vitin 1991 dhe asaj të pajtimit kombëtar në vitin 1997, qeveri të cilat janë përfolur mjaftë për bashkëpunimin midis të majtës dhe të djathtës.

Qeveria e re parashikohet të ketë shumë objektiva. Nëse ju referohemi deklaratave të kryeministrit Berisha, prioritet do të jetë punësimi, zhdukja e varfërisë, vazhdimi i veprave të mëdha infrastrukturore, ndërsa epërsi të LSI-së paralajmërohet të jenë integrimi, arsimi, ekonomia, shëndetësia dhe bujqësia.

start/bbc

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›