Pronarët sherr për muzikën në plazh, vritet 30 vjeçari
DURRËS - Një sherr për muzikën e lartë në kioskat e plazhit ka degjeneruar në vrasje. Zihni Dushku, 54 vjeç ka vrarë mbrëmë 30 vjeçarin Marenglenc Jahoelezin. Si pasojë e plagëve të rënda ai humbi jetën në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë policia ka kapur në flagrancë, sot rreth orës 03:00 autorin e ngjarjes së rëndë.
Mësohet se konflikti mes tyre ka lindur që ditën e diel në plazhin e Hidrovorit Hamallaj tek lokali tip kioske e shtetasit Zihni Dushku duke marrë shkas nga muzika e lartë qe kish vene autori. Të dy shtetasit kanë nga një kioske shumë pranë njëri-tjetrit. Atë ditë janë thirrur në polici dhe pasi kanë plotësuar deklaratën për mospërsëritje janë lënë të lirë. Ndërsa kanë rifilluar sherri mbrëmjen e djeshme rreth orës 11:00 në të njëjtin vend. Zihni Dushku ka marre një armë zjarri automatik dhe ka qëlluar mbi Marenglencin dhe miqtë e tij. I riu ka marrë plagë shumë të rëndë që i morën jetën pak minuta pasi mbërriti në spital.
Policia bëri të ditur sot se në vendngjarje janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 cope gëzhoja model 56 të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu janë sekuestruar dhe marre ne cilësinë e provës materiale arma tip automatik model 56 prodhim kinez dhe me një krehër me 18 copë fishekë e cila ju gjet autorit.
Policia Qarkut në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit te Policisë Shijak, dhe Forcat e Ndërhyrjes se Shpejte bene te mundur zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Fale veprimeve te shpejta te mire organizuara dhe profesionale u arrit kapja e autorit te kësaj ngjarjeje pak orë pas kryerjes se krimit. Nga ana e Policisë dhe Prokurorisë se Rrethit Durrës po kryhen te gjitha veprimet e nevojshme për dokumentimin e plote te ngjarjes.
Muzika e lartë në plazhin e Durrësit është një shqetësim permanent i pushuesve i ngritur disa herë edhe në media. Lokalet që nga ato tip kioskë e deri tek komplekset vënë muzikë të lartë që në orët e mëngjesit e deri në mesnatë, duke krijuar një miksim tingujsh të bezdisshëm si dhe duke krijuar konflikt me njeri-tjetrin.