Kthimi i emigrantëve, fluks në Kapshticë
KORÇË - Pas kalimit të pushimeve, emigrantët po kthehen sërish në vendet e tyre të punës në shtetin grek. Sipas autoriteteve policore nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë gjatë tre ditëve të fundit pas kremtimit të festës së Shën Mërisë, kanë dalë drejt rreth 17 mijë persona. Fluksi ka shënuar rënie në orët e vona të natës krahasuar me dy ditët e para kur ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm emigrantësh që kanë dashur të kalojnë në shtetin grek për t'iu rikthyer punës.
Sipas komandantit të kësaj pike kufitare, Dritan Shemaj prurjet e emigrantëve pas kalimit të natës së mbrëmshme në qetësi, kanë filluar në mëngjes e sotëm. Nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë paradites së sotme, kanë kaluar traun e doganës 1200 shtetas 400 mjete të vogla dhe 10 autobusë. Në raport me fluksin e emigrantëve ka bërë të ditur Shemaj janë vënë në dispozicion edhe 4 - 6 sportele duke mos krijuar pengesa.
Pritet që edhe kjo javë të shoqërohet me ditë dhe orë të veçanta piku nga lëvizjet e shumta të emigrantëve për tu lehtësuar nga fundi i muajit kur edhe emigrantëve ju përfundojnë lejet e qëndrimit.