E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë, kujtesë për 14 burrat e pushkatuar 60 vite më parë

RRESHEN - Shoqata e të përndjekurve politikë në Mirditë, ka përkujtuar 60 vjetorin e Masakrës së Valmirit, në një tubim homazh si dhe përurimin e monumentit simbol në një nga kryqëzimet kryesore të qytetit të Rrëshenit. Pos familjarëve dhe të afërm të burrave që u pushkatuan pa gjyq 60 vite më parë, si dhe nga familje që u internuan dhe u maltrajtuan për dekada të tëra nën sundimin komunist, të pranishëm ishin dhe drejtues nga shoqata kombëtare e të Persekutuarve Politikë si dhe nga shoqata të rretheve të tjera, deputetë e drejtues vendorë, ndërkohë që mori pjesë dhe Kryetarja e Parlamentit shqiptar Jozefina Topalli.

Veprimtaria u përcoll përmes një homazhi në shenjë respekti si dhe disa prurjeve të reja nga fakte historike që dëshmojnë jo vetëm masakrën e kryer më 17 gusht 1949, por dhe episode të tjera që lidhen me persekucionin e gjatë ndaj familjeve të tëra në Mirditë dhe vetë krahinës në përgjithësi. Sipas folësve në këtë tubim, ndaj Mirditës është ushtruar një holokaust i gjatë që me ardhjen në pushtet të klikës së Enver Hoxhës, si krahinë që nuk ishte nënshtruar në shekuj, ndërsa vrasja e Bardhok Bibës, ish sekretar i parë i partisë së këtij rrethi dhe deputet, shërbej si rast për të vrarë e masakruar qindra e mijëra familje mirditase si dhe copëtimin e kësaj krahine, duke ia ndarë ashtin e saj edhe gjeografik edhe zakonor e dokësor të ruajtur ndër shekuj në 5 rrethe të tjera, ashtu si nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Këtë e kumtoj në fjalën e tij kryetari i shoqatës Gjon Nikoll Deda, por dhe Preng Gjomarkaj që mbajti kumtesën e zgjeruar rreth kësaj ngjarje dhe asaj që ndodhi me tërë Mirditën.

Takimin e përshëndeti dhe kryetari i shoqatës kombëtare të të përndjekurve dhe persekutuarve politikë të vendit Skënder Qendro, drejtori i Institutit Për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë Simon Miraka, deputetët Mark Marku dhe Edi Paloka, kryetari i Qarkut Bardh Rica, kryetari i bashkisë Rrëshen Gjon Dedaj e të tjerë.
Duke nderuar kujtimin e 14 martirëve të demokracisë të ekzekutuar pa gjyq të mirëfilltë më 17 gusht 1949, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli është ndalur në kujdesin që duhet treguar për këtë shtresë nga shteti dhe qeveria shqiptare për ta integruar në shoqëri. Ajo i ka përshëndetur për gjithë kontributin që ata kanë dhënë në udhën e demokracisë së vendit dhe që padyshim kanë qenë pararoja e ruajtje së vlerave njerëzore, e vlerave më të mira të demokracisë shqiptare. Ju keni qenë mbështetësit kryesorë të Partisë Demokratike dhe fitoren tonë ua dedikojmë për gjithçka keni dhënë për ecjen e demokracisë.

Jo pak nga anëtarët e kësaj shoqate, të pakënaqur me koalicionin e ri Berisha-Meta, por të prirur nga deviza "Duam më shumë Shqipërinë", kanë kërkuar trajtesë më të theksuar nga shteti e qeveria, pasi më e shumta në detyrat shtetërore bijtë e kësaj shtrese po i lënë roje tek dera!

Më pas në praninë e qindra banorëve të qytetit dhe përfaqësues nga shoqata e të të përndjekurve, pas fjalës së rastit mbajtur nga Lek Shtinja, njëri prej bijve të njërit prej martirëve të demokracisë vrarë më 17 ghusht 1949, është përuruar monumenti simbol, i punuar nga skulptori i ri Klejv Pjetri, një punim artistik në gur, tejet domethënës, që më së pari tregon një shqiponjë karakteristike të Shtetit të Parë të Arbrit, me epiqendër në Mirditë, e plagosur në gjoks nga bisha komuniste. Topalli ka përgëzuar autorin për punën pasionante dhe me nivel të lartë artistik.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›