Bisedimet zyrtare Berisha-Meta, pas shpalljes së rezultatit
Negociatat e orëve të vona flasin për vijimin e drejtimit të Kuvendit nga Topalli. Por LSI-ja do të rrisë pretendimet për poste ministrore
TIRANË- Ndërsa mes eksponentësh të lartë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vijojnë skemat e mundshme të qeverisë së re për 4 vitet e ardhshme, bisedimet zyrtare mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, pritet të vonojnë.
Pavarësisht se kanë vendosur të bashkëqeverisin, burimet nga PD-ja bënë me dije se PD-ja e LSI-ja do të presin edhe procesin e mbetur deri në publikimin e rezultatit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas shqyrtimit të ankimimeve nga forcat politike në vend.
Burimet cituan se më shumë se Meta, është vetë Berisha, i cili pret të marrë një përgjigje për të gjitha kontestimet lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nga partitë pjesëmarrëse në këtë garë.
Kjo periudhe thuajse 2 javore, do të qartësojë në të gjitha format Partinë Demokratike se sa është nevoja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeverisjen e ardhshme, duke pasur parasysh edhe kërkesat e kësaj të fundit për të marrë katër portofole ministrore, për katër mandate të arta, siç kanë preferuar t'i cilësojnë vetë deputetët e LSI-së. Por, pavarësisht kësaj situate, lëvizjet për postet e ardhshme ministrore vazhdojnë.
Burimet nga dy partitë tregojnë se me shumë gjasa, për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të drejtohet sërish nga e njëjta grua.
Jozefina Topalli pritet të jetë në drejtim të legjislativit, tregojnë burimet, pavarësisht se ky post ishte një nga propozimet e LSI-së, që të drejtohej prej vetë zotit Meta.
Me bisedimet e orëve të fundit, gjasat janë për vijimin e zonjës Topalli në drejtim të Parlamentit për vitet 2009-2013. Por, nëse do të jetë kështu, atëherë pritet që të rritet pretendimi i LSI-së për poste ministrore në kabinetin e ri qeveritar.
Berisha, i cili premtoi një qeveri edhe më të vogël para zgjedhjeve të 28 qershorit, do të jetë i detyruar që të mos e mbajë fjalën, për shkak të rezultatit të këtij procesi.
Për hir të kërkesave të LSI-së, që kësaj here i diktoi qeverisjen edhe për katër vitet e ardhshme, kreu i ekzekutivit po shqyrton seriozisht mundësinë e ndarjes së dikasterit të Ekonomisë me atë të Energjetikës, për të përfaqësuar LSI-në në ekzekutiv.
Ndërkohë, LSI-ja ka kërkuar edhe tre portofole të rëndësishme, si ajo e Transporteve, Kulturës dhe Shëndetësisë. Por, një ditë pasi Berisha dhe Meta ranë dakord për bashkëqeverisje, u shtua edhe presioni i republikaneve, për të qenë të përfaqësuar me post ministror.
Fatmir Mediu kërkoi që PR-ja të jetë e përfaqësuar në nivel ministri, duke hequr dorë në një farë mënyre nga Ministria e Shëndetësisë, por duke kërkuar një tjetër dikaster më pak të rëndësishëm, pavarësisht së në Kuvendin e ri ata do të kenë vetëm 1 deputet, nga 11 që kishin gjatë këtyre katër viteve.
Megjithatë, deri pas 2 javësh, kur mendohet të përmbyllet edhe procesi i ankimimit të partive politike, mes PD-së, LSI-së, PR-së dhe ndonjë aleati tjetër, pritet të qarkullojnë edhe të tjera propozime apo oferta, derisa formatimi i qeverisë Berisha të jetë i plotë për të marrë miratimin në shtator, menjëherë pasi të mblidhet Kuvendi i ri.