Shembet tarraca, nën rrënoja 5 shitës të skrapit
ERSEKË/ Një 22-vjeçar dhe një 12-vjeçar kanë ndërruar jetë pasditen e djeshme në afërsi të fshatit Psar
ERSEKË - Ndërrojnë jetë një i mitur dhe një i ri, teksa kërkonin për të mbledhur mbeturina hekuri në magazinat e ish-ndërmarrjes së Grumbullimit në qytetin e Ersekës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të së premtes, në afërsi të fshatit Psar, ndërsa pesë djem, të afërm mes tyre janë zënë poshtë nga tarraca e ndërtesës.
Menjëherë sapo është marrë njoftim kanë ndërhyrë efektivat e policisë së qarkut të Korçës, si dhe strukturat e Emergjencave Civile, Zjarrfikëse të Ersekës. Është ndërhyrë në rrënoja për të nxjerrë trupat e pesë personave, ndërsa është arritur të shpëtohen tre prej tyre e pikërisht Altin Shkoza, 26 vjeç, E.Shkoza, 12 vjeç, dhe K.Shkoza, 8 vjeç.
Të tre këta shtetas janë dërguar për ndihmën e parë në spitalin e Ersekës dhe më pas në spitalin rajonal të Korçës për ndihmë më të specializuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të tre ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Por megjithë ndërhyrjen, nuk janë arritur të shpëtohen 12-vjeçari Sh.Shkoza dhe 22-vjeçari Fatjon Shkoza, të cilët kanë gjetur vdekjen poshtë rrënojave të tarracës së ndërtesës. Burime nga policia shprehen se të pesë djemtë kanë qenë brenda në ndërtesë për të nxjerrë hekur, të cilin më pas e shisnin si skrap.
Por nga punimet e kryera pa kujdes ata kanë dëmtuar konstruktin mbajtës të ndërtesës. Si rrjedhojë, ka rënë çatia e saj, duke i zënë brenda të pestë kushërinjtë mes tyre. Për këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor, ndërsa vazhdojnë hetimet e mëtejshme. Viktimat: Fatjon Enver Shkoza, 22 vjeç; Sh. Gëzim Shkoza, 12 vjeç
Të plagosurit: Altin Etem Shkoza, 26 vjeç; E. Enver Shkoza, 12 vjeç; K. Enver Shkoza, 8 vjeç