Bisedojnë edhe të hënën

Prishtina dhe Beogradi kanë vazhduar bisedimet mes vete në Bruksel për çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit, që do të fillojë të zbatohet më 10 dhjetor.
Delegacionet e dy palëve kanë biseduar të enjten dhe të premten, derisa pritet të vazhdojnë edhe në fillim të javës së ardhshme.
Për këto zhvillime ka folur Dejan Pavicevic, shef i delegacionit serb i ngarkuar për bisedime teknike.
Sipas tij, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur pajtueshmëri që në pikëkalimet kufitare të ketë numër të barabartë të doganierëve të Kosovës dhe Serbisë, derisa qëndrimi i palës serbe vazhdon të mbetet se EULEX’i duhet të ketë rol ekzekutiv në këto pika.
Pavicevic ka deklaruar se pikat kufitare në Jarinje, Konçul dhe Merdarë do të fillojnë punën më 10 dhjetor.
Marrëveshja për këtë çështje ishte arritur gjatë takimit të fundit Thaçi - Dacic me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.
Derisa, sipas Pavicevic, edhe tri pikëkalime tjera pritet të hapen deri në fund të vitit.
Ai ka thënë se tani për tani mbetet e paqartë se kush do të mbledhë të ardhurat nga doganat.
Kjo çështje është e rregulluar me pakon e Ahtisaarit, ku parashihet që kjo të ndodhë përmes institucioneve qendrore të Kosovës.
Serbët e Veriut kanë kërkuar që të hyrat t’u shkojnë komunave në pjesën veriore, por pala serbe për këtë çështje është ende duke u biseduar.
Shefi i ekipit serb ka thënë se punët në pikëkalime janë duke u zhvilluar, por objektet nuk do të jenë saktësisht në kufi për shkak se një gjë e tillë është e pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, por do të vendosen në distancë dhjetëmetërshe brenda vijës kufitare.
Pikëkalimet e Konçulit dhe Jarinjës do të jenë në territorin e Serbisë, derisa ajo në Merdarë do të jetë brenda territorit të Kosovës.
Pavicevic ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë të hënën, derisa ka njoftuar se në emër të Kosovës bisedimet do t’i zhvillojë Edita Tahiri. Pala kosovare nuk ka njoftuar asgjë rreth këtyre takimeve.