Krasniqi injoron Thaçin

Kuvendi i Kosovës sot mbajti një seancë solemne për nderë të lirimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nga Tribunali i Hagës.
Mirëpo gjatë seancës ajo që ra në sy ishte se kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përveç Haradinajn nuk e përshëndeti askënd në Kuvend.
“Zonja dhe zotërinj”, kështu u shpreh kryeparlamentari dhe menjëherë e mori fjalën duke e përshëndetur lirimin e Ramush Haradinaj.
Në këtë seancë solemne ishte i pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili në një bisedë telefonike me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, kryekuvendarin e quan Jakupovci.
Në seancë, kryeparlamentari fjalën ia dha vetëm ish-kryeministrit Haradinaj dhe më të përfunduar fjalimin ai, seanca u konsiderua e mbyllur.
Në përgjimet e fundit të zyrtarëve të PDK-së të cilat tanimë kanë pushtuar mediat vendore dhe ndërkombëtare, kryeparlajmentari në disa raste fyhet rëndë nga zyrtarët e PDK-së.
I vetmi që u deklarua sot para mediave për skandalin e përgjimeve telefonike, ishte Jakup Krasniqi. Ai tha se pavarësisht se çfarë ka dëgjuar nga kolegët e tij, e ndien veten shumë mirë.
“Mendoj që është koha, që aktorët të cilët dëgjohen duke biseduar ose duke raportuar edhe jashtë jetës institucionale, t’i thonë mendimet e veta. Të paktën, ndoshta është krejt njerëzore që të bëhet një kërkim falje publike pasi që publiku është shqetësuar. Unë, pastaj do ta jap edhe mendimin tim", ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
E derisa marrëdhëniet mes krerëve të PDK-së vazhdojnë të acarohen edhe më shumë, tanimë Policia e Kosovës ka nisur hetimet rreth zbulimit të personave që i kanë nxjerrur bisedat në publik./Indeksonline/