Bisedojnë për bashkëpunim
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, priti, të enjten, në një takim, Arnaud Appriou, zyrtar për edukim, kulturë, rini dhe sport në kuadër të Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian.
Ministri Krasniqi dhe Appriou biseduan për format e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe KE-së, duke e vlerësuar si mjaftë të mirë deri tash.
Ministri Krasniqi falënderoi me këtë rast Komisionin Evropian për donacionet që ka dhënë për trashëgiminë kulturore dhe sportin. Ai më tutje e njoftoi Z. Appriou me të arriturat e shënuara gjatë këtij viti në dikasteret që mbulon MKRS-ja, e sidomos në ato fusha ku edhe dalin kërkesa nga Raporti i Progresit.
Ministri Krasniqi theksoi se tashmë ka kaluar në shqyrtim të parë në Kuvendin e Kosovës, Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, si dhe është miratuar në qeveri dokumenti strategjik ‘Konservimi i Integruar’, si dy kërkesa këto të Raportit të Progresit.
Nga ana e tij, Arnaud Appriou i vlerësoi të arriturat në Kosovë në fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe shprehi gatishmërinë që të mbështesë MKRS-në edhe në të ardhmen. Ministri Krasniqi shprehi përkushtimin e tij për rritjen e dinamikës së punës, për tejkalimin e sfidave në kulturë, rini e sport dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi me Komisionin Evropian do të jetë edhe më i madh në të ardhmen.