Bisedoni për veriun

Qendra për Studime Strategjike në Washington u ka rekomanduar SHBA’ve dhe BE’së të hartojnë një qasje të re për Ballkanin. Ajo kërkon që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë edhe për veriun dhe demarkacionin e kufirit. Të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë, të sigurohen njohje për Kosovën duke filluar me pesë shtetet e BE’së.
Autorë të këtij raporti janë: Janusz Bugajski, Heather A. Conley si dhe Mihaela David dhe Terry Toland. Në të rekomandohet që veriu i Kosovës të përfshihet në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd.
“T’i jepet fund misionit mbikëqyrës të EULEX-it dhe të bëhet tranzicioni në një përfaqësues special të lartë dhe të fuqishëm të BE-së (EUSR) me angazhim të fortë dhe të ketë bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave të BE-së dhe t’i ofrohet Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim si dhe udhërrëfyesi për statusin e kandidatit. Kjo do të stimulonte kushtet për reforma të brendshme dhe do t’i ofronte BE-së të ketë ndikim më të madh në Kosovë”, thuhet në raportin e ekspertëve amerikanë.
Sipas tyre, rekomandimet për tejkalimin e dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë do të krijojnë themelet për strategji të re dhe më energjike për Ballkanin Perëndimor, që do të rezultojë me integrim ekonomik më të madh, forcim të reformave ekonomike dhe demokratike në rajon.