Pacolli merr çmimin "Gusi Peace Prize International"

"Në ceremoninë e jashtëzakonshme të organizuar me këtë rast, morën pjesë mijëra vetë, mes të cilëve deputetë, trup diplomatik i akredituar në Manila, elita intelektuale dhe shoqërore e Filipineve. Të gjithë autoritetet më të larta të Filipineve e përshëndetën aktivitetin që konsiderohet si nga çmimet më të mëdha në Azi, dhe nga më të mëdhenjtë në botë. Zëvendëskryeministri Pacolli u prit me duartrokitje në sallë i shoqëruar nga një ushtarak filipinas me veshjen e nderit që valëviste flamurin e Kosovës", thuhet ne nje njoftim te zyrës se Pacollit.
Çmimi “për aktivitetin ekonomik, qeverisje dhe kontribut humanitar”, atij ju dorëzua nga Princesha e Tajlandës Luang Rajadarasri Jayankura. Në motivacionin e çmimit në webfaqen e fondacionit shkruhej: për qasjen e tij krijuese në biznesin e ndërtimit që la gjurmë në të gjithë botën; për sensin e tij të ndërmarrësisë; për aktivitetin e tij filantropik në vendin e tij Kosovën, dhe për angazhimin e tij aktiv në pajtimin e politikës shqiptare në Kosovë, në përputhje me frymën më të mirë të popullit të tij.
Në fjalën e tij, të shkurtër, pas marrjes së çmimit të lartë, zëvendëskryeministri Pacolli, tha se ndihej i nderuar që merrte këtë çmim së bashku me personalitete të shquara nga gjithë bota. Ai tha se i përket një populli që luftoi shumë për paqen dhe lirinë, dhe bashkë me to, fitoi dhe pavarësinë.
“Unë vij nga një popull i vogël, të cilit i përket Nënë Tereza, dhe unë do të vazhdoj të punoj fort për paqen”,tha Pacolli.
Përpara marrjes së çmimit të "Gusi Peace Prize International", dhënë nga një juri ndërkombëtare, Pacolli pati takime të rëndësishme në funksion të turit të tij lobues në Azi.
Zëvendëskryeministri Pacolli është takuar me personalitete të shquara tailandeze, me Shefin e Administratës Presidenciale të Laosit, Phongsavath Boupha, me ministrin e arsimit të Butanit, Thakyr S.Poëdyel, dhe përfaqësues tjerë të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Pacolli gjatë këtyre takimeve, prezentoi disa nga faktet që duhen mbajtur parasysh për të njohur Kosovën, si shtet i pavarur dhe sovran. Pacolli u takua gjithashtu me senatorin e Atlantas (SHBA), Emanuel Xhons, etj.
Aktivitetet e Pacollit në Filipine dhe në Azi vazhdojnë edhe në ditët në vijim.