Shpallja e pavarësisë së veriut, iluzione të serbëve
Ish anëtari i ekipit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës, Albert Rohan i ka quajtur iluzione deklaratat e serbëve të veriut për shpallje të pavarësisë së tri komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, këto ambicie janë planifikuar për të dështuar.
Në një intervistë për RTV21, Rohan ka deklaruar se veriu i Kosovës nuk duhet të ketë më shumë se sa që ofron Pakoja e Ahtisaarit.
Ai ka inkurajuar vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërkaq e ka vlerësuar pozitiv dhe model evropian menaxhimin e integruar të kufijve.
Sa i përket çështjes së procesit të liberalizimit të vizave, diplomati Rohan ka vlerësuar se Evropa ka bërë diskriminim me rastin e Kosovës dhe tashmë është koha që të fillojnë negociatat për marrjen e udhërrëfyesit.