E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i i Vlorës: ERE jep licencën për ndërtim, prodhimi i energjisë nis në qershor



Ervin KOÇI

Termocentrali i Vlorës, me kapacitet 100 MW (mega wat) ka marrë aprovimin e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE-s), për të nisur normalisht punën. Licenca është miratuar më datën 3 mars 2009 nga Bordi i Komisionerëve të ERE-s dhe ligjëron aktivitetin e TEC-it për prodhimin e energjisë elektrike, me lëndë të parë, naftën. Mësohet se punimet kanë përfunduar plotësisht, kurse pas testeve që po kryhen tani, prodhimi i energjisë do të nisë në mesin e muajit qershor 2009 (në kontratë është caktuar muaji mars). Nga të dhënat që paraqet zyrtarisht ERE, mësohet se "dokumentacioni i drejtuesve të KESH-it, të cilët kanë në varësi Drejtorinë e TEC-it të Vlorës, ka përmbushur në përgjithësi të gjitha detyrimet teknike, përveç asaj financiare, e cila është shtyrë për t‘u paguar në një kohë tjetër". Nëndrejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, tha për mediat, se gjatë ditëve të muajit prill janë parashikuar kryerja e disa testeve, për të parë kapacitetin e plot të TEC-it. Kapaciteti prodhues i TEC-it në fillim do të jetë rreth 2.4 milionë kilovat/orë energjie elektrike. Debatet për ndërtimin e TEC-it nga banorët e Vlorës dhe shoqatat ambientaliste lidheshin me ndikimin në mjedis, pasi energjia do të prodhohej falë përdorimit të lëndës djegëse, naftë. Për ndërtimin e TEC-it, KESH-i ka shfrytëzuar një sipërfaqe prej 14 ha në të cilën janë hequr rreth 247 rrënjë pisha. Kjo sipërfaqe shërben për kryerjen e punimeve, ndërkohë që në përfundim sipërfaqja që do të zihet nga KESH-i do të jetë vetëm 4.5 Ha. Drejtues të KESH-it garantojnë se, zona përreth do të kthehet në gjendjen e mëparshme ndërsa do të ripyllëzohet duke u zëvendësuar me tre fidanë për çdo rrënjë pishe të hequr. Sipas kontratës, vlera e investimit kap shifrën e 92 milionë eurove, me financim të Bankës Botërore, BERZH-it dhe BEI-it, kurse punimet u kryen nga "Maire Engineering". Lëndët djegëse me të cilën do të punojë TEC-i i Vlorës do të jenë naftë me nën 0.1 për qind përmbajtje squfuri, si dhe gaz natyror kur ky të jetë i disponueshëm në Shqipëri. TEC-i i Vlorës do të funksionojë me cikël të kombinuar duke prodhuar energji elektrike jo vetëm nga gazi, por edhe avulli. Kjo bën që ky TEC të ketë parametrat më të lartë bashkëkohorë të rendimentit me mbi 50 për qind.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›