Shamku: “Berisha heq nxënësit nga ora e mësimit për ti çuar në miting”
Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet Ledi Shamkut, pas mitingut që Berisha zhvilloi në Korçë, duke thënë se mësuesit dhe nxënësit janë marrë nga klasat për t’i çuar në miting. Ajo tha se në Korçë është bërë mësim edhe ditën e shtunë, për t’i marrë nxënësit direkt nga klasat. “Berisha, pasi ka prerë për të tretën a të katërtën herë shirita rrugës, akoma të pambaruara, ka folur para një turme nxënësish e mësuesish të dhunuar në lirinë e tyre politike e në të drejtën e tyre të ditës së pushimit”, - tha Shamku. Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ledi Shamku, u shpreh se më 28 qershor do të marrë fund kthimi i mësuesve e nxënësve në kope elektorale dhe do të nisë epoka e re e rilindjes së arsimit të çliruar nga zinxhirët e interesave politike.
Malaj: “Berisha po përdor buxhetin e shtetit për qëllime elektorale”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka deklaruar se kryeministri Berisha po e fut vendin në krizë. Ai deklaroi se qeveria “Berisha” është në panik dhe po rrit keqpërdorimet buxhetore dhe arrogancën elektorale. “Vetëm një qeveri për të cilën pushteti është gjithçka, mund t’i injorojë rrisqet në rritje që ka ekonomia shqiptare nga rënia 6 - 10% e rritjes ekonomike, si dhe nga rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik”, - tha Malaj. Duke komentuar paralajmërimin e FMN-së se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 mund të jetë zero ose edhe më pak, ai u shpreh se kostoja e financimit të borxhit për shpenzimet dhe investimet elektorale po rritet nga 6% në 9,3%. Malaj u shpreh se PS-ja nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve, por se ata janë qartësisht kundër çdo rritjeje abuzive thjesht elektorale, që nesër do t´i bëjë pensionet, pagat, asistencën për të paaftët dhe të papunët të vlejnë më pak. Sipas tij, kryeministri, në panik edhe për fatin politik, nuk ka kurajën të pranojë riskun ku ndodhet ekonomia jonë, nuk ndien detyrimin dhe përgjegjësinë të ndalë keqpërdorimet me miliarda lekë për efekte elektorale, s’ka kredibilitetin e nevojshëm të kërkojë konsensus me opinionin publik dhe forcat politike, për të ndaluar përkeqësimin e situatës ekonomike.
13 Prill 2009