Bisht Kamëza, vendi ku lulëzon tregu i skrapit

Nga pozicioni ku shplekset vështrimi lirshëm duket Bisht Palla dhe Kepi i Rodonit, që në këtë rast duken si dy nofulla që shtrëngojnë mes buzeve një diamant të kaltër siç është Gjiri i Lalëzit.
Jemi pikërisht në këtë pikë ku duken dy kepat strategjikë dhe turistikë, kur edhe takojmë disa persona që kanë ngarkuar në biçikleta dhe kusia të ndotura skrap që përftohet nga plasja e predhave të artilerisë
DURRËS - Në udhëtimin drejt vendit ku bëhet demontimi i predhave të artilerisë, nuk ka shumë komoditet. Udhëton në një zonë të thellë që njihet si Bisht Kamëz, me një pyll shumë të bukur por që ka pësuar edhe ai regresin e dëmtimeve dhe rruga është plot gropa, saqë mjeti i lehtë me të cilin udhëtojmë, duhet shtyrë ndonjëhere.
Pas këtij pylli në distancën 3 km të shfaqet një bregdet i virgjër plot bukuri, por pamjet e vendit ku ndodhin demontimet sikur ta fshijnë këtë ndjesi. Nga pozicioni ku shplekset vështrimi lirshëm duket Bisht Palla dhe Kepi i Rodonit që në këtë rast duken si dy nofulla që shtrëngojnë mes buzeve një diamant të kaltër siç është Gjiri i Lalëzit.
Jemi pikërisht në këtë pike ku duken dy kepat strategjikë dhe turistikë, kur edhe takojmë disa persona që kanë ngarkuar në biçikleta dhe kusia të ndotura skrap që përftohet nga plasja e predhave të artilerisë.
Ata janë tërë pluhur dhe të ndotur. Kur afrohemi tek rajoni i plasjeve, shohim se kjo ngjyrë e murrme është masive. Siç duket pluhuri i barutit të djegur pas shpërthimit të predhave të artilerisë së rëndë derdhej sërish mbi rërën dhe gropat shumta të hapura. Gropat janë masive në një zonë rreth 1500 m2 dhe kur i sheh nga afër të kujtojnë betejat e Luftës së Dytë Botërore.
Banorët që merren me tregtinë e skrapit janë shumë në këtë zonë, rreth 40 vetë, mes të cilëve ka edhe fëmijë të cilëve fati u ka dhënë që në luftë me jetën të luftojnë dhe të nxjerrin disa fitime edhe nga mjetet e saj. Mes tyre dallojmë një të ri me trup atleti, që ka mbushur një kovë me skrap. Janë pak hekura të deformuara nga forca e shpërthimit, që ata i shesin rreth 25 lekë/kg.
Na thotë se është me origjinë nga Dibra dhe se quhet Syri Sula. Ai tani banon në fshatin Fllake të periferisë bregdetare të qytetit të Durrësit së bashku me prindërit. Syriu tregon se ka edhe 5 vëllezër që punojnë në vende të tjera. Mbi një biçikletë, në shtratin e pasëm të së cilës ka një arkë birre me një thes plasmasi në të, ka edhe "bukën" e ditës: disa kile hekur.
Ai thotë se mbledhja e metalit të luftës është bërë e përditshme për të dhe se arrin që të mbledhë rreth 40 - 50 kg skrap. Sipas të riut Sula, me këtë punë tashti merren çdo ditë mbi 20-30 vetë, që edhe pse është një vapë përvëluese thuajse afrikane mbledhin me shumë pasion copërat e shpërndara gjithandej në hapësirën bregdetare.
Sipas tij, copat ngaqë shpërthehen në bregdet shpërndahen nga forca e plasjes edhe brenda në ujërat e detit dhe mbledhësit e skrapit, pasi mbarojnë në territorin e bregdetit plot bimë kripthi, "sulmojnë" ujërat. "Në këtë rast bëjmë dy punë", - thotë njëri prej tyre duke qeshur, dhe saktëson: "Bëjmë edhe banjë dielli".
Duke mbledhur skrap gjejmë edhe një personazh tjetër të këtij biznesi të varfër. Fatos Kovaçi banon po në Fllakë. Ai ka bërë një përshtatje të një ene kauçuku duke e çarë anash, me sa duket për ta përdorur për dubël punimesh: për të mbledhur në tokë edhe nën ujë.
Ai thotë se ndodh që nga shpërthimi i predhave me dinamit ndonjë predhë të fluturojë e padëmtuar. Por pas shpërthimit ajo merret si nga ushtarët, ashtu edhe nga mbledhësit e skrapit dhe ridërgohet tek specialistët e shpërthimit. Disa thonë se edhe në det mund të ketë predha të paplasura, por atje është e vështirë t'i shohësh.
Mbledhësit e skrapit shprehen se shpërthimet ndodhin çdo ditë në orët e mëngjesit. "Sot jeni të vonuar, - na thanë, - pasi ata kanë ikur.
Këtu vijnë zakonisht 3 makina të ngarkuara me predha të shoqëruara nga një autoambulancë rreth orës 09:00, dhe pasi bëjnë rreth 27 shperthime, bëjnë kontrollin e zonës dhe largohen".
Mbledhësit e skrapit qëndrojnë në një rreze sigurie rreth 1000 metra larg vendit të shpërthimit. Pasi ata largohen, fillon puna. E në këtë "punë" ka edhe gra. Larg nesh ndodhen dy prej tyre që të mbeshtjella me rroba të errëta mbledhin skrap.
Druhen nga të huajt dhe na shmangen. Na luten të mos fotografohen. Ato kanë ardhur me një karrocë dhe ndërsa bëjnë edhe plazh, mbledhin hekurin e industrisë së rrënuar të luftës tashmë. Ndërsa kalin e kanë lënë të kullosë në afërsi të disa gëmushave...
Rreth 100 metra më tej është derdhja e lumit Erzen. Peshkatarët ankohen për peshkun e trembur në këtë sezon nga shpërthimet të cilat dëgjohen deri në Durrës. Plazhi ndonëse i largët është i vetmuar dhe me pak njerez, ndonese rëra dhe uji janë nga më të mirët dhe qetësia gjithashtu... po të mos ishin shpërthimet!