E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, përmbarimi nuk zbaton vendimet e gjykatës

Në raportin hije që është dërguar nga OJF-të në OKB thuhet se strukturat shtetërore nuk zbatojnë vendimet. Rreth 800 denoncime të dhunës në polici

Dhunohen në mënyrë barbare, iu mohohet që të takojnë fëmijët e tyre, ndërsa ndaj dhunuesve nuk merret asnjë masë ndëshkuese. Institucionet shtetërore nuk e bëjnë detyrën e tyre në mënyrë korrekte për të mbështetur të dhunuarit dhe si pasojë këta të fundit ndihen të pambrojtur.


Në raportin hije që u paraqit pranë OKB-së, përfaqësuesja e shoqërisë civile, Meri Pone, theksoi se strukturat përgjegjëse duhet të jenë më korrekte ndaj detyrës së tyre.


Dhuna


Qindra femra kanë kërkuar gjatë këtij viti ndihmën e policisë, për t'u mbrojtur nga dhuna fizike e bashkëshortëve, të cilët në shumë raste kanë ndalur fëmijët të takohen me nënën e tyre, megjithëse gjykata është shprehur ndryshe.


Ekspertët e Shoqërisë Civile, të cilët kanë hartuar edhe raportin hije të publikuar, kanë theksuar se mosfunksionimi i zyrës së përmbarimit po krijon probleme të mëdha. "Zyra e përmbarimit nuk ka qenë aq aktive në punën e saj.


Por duhet të jetë më këmbëngulëse dhe të kërkojë edhe ndërhyrjen e policisë së shtetit dhe të ndihmojë që fëmijët të jenë në kujdestarinë e nënës, nëse kjo kujdestari është lënë për nënën", - është shprehur Merita Poni, duke shtuar se është detyrë e kësaj zyre të zbatojë vendimet e gjykatave.


Sipas saj, ligji i jep të drejtën që gruaja e dhunuar dhe fëmijët të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa burri të largohet. Ky ligj nuk gjen zbatim në shumë qytete dhe zona rurale të vendit dhe e bën edhe më të vështirë rehabilitimin e gruas.


Sipas saj, në zonat rurale është shumë e vështirë që policia të bëjë detyrën, sepse për shkak të njohjeve që kanë me banorët preferojnë të jenë indiferent ndaj denoncimeve të grave të dhunuara.


Denoncimet


Këtë vit, mbi 800 femra, kanë denoncuar familjarët e tyre në polici dhe është rritur numri i kërkesave për mbrojte. "Duhet të dini se vetëm këtë vit ka pasur rreth 800 denoncime në polici dhe krahasuar me vitet e tjera këto denoncime janë rritur. Kjo do të thotë se është rritur edhe ndërgjegjësimi i grave për të denoncuar dhunuesin", - pohon Meri Poni.


Ekspertët mendojnë se mungesa e një vendi të sigurt pune, por edhe varfëria, si dhe ndikimi i familjes, janë disa nga arsyet që mendohet se kanë çuar në rritjen e dhunës ndaj grave.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›