Bitraku: Sa pak bëjmë për femrën
“Shpirti im është më i pastër se i shumë të tjerëve. Po, e zgjodha këtë rrugë por nuk kisha zgjidhje tjetër.” Ky rrëfim është i Zamira Kitës në monodramën “Velloja e bardhë” që po shfaqet dje dhe sot në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për historinë e një nëne të re që shet trupin për të mbajtur familjen. Drama me një akt e shkruar nga Odise Plaku ka për regjisor Marko Bitrakun. Megjithë përvojat e tij rralla në regjinë e teatrit (katër shfaqje në teatrin e Korçës) prova e tij e parë në TK, kaloi mirë.
Bitraku jeton në Tiranë, ka realizuar profile komike të veçanta në disa filma të fundit shqiptarë (“Slogans” dhe “I dashur armik” Gj. Xhuvani, “Mao ce Dun” B. Bisha. etj.), por herë pas here bashkëpunon me teatrin e Korçës, dhe jep kontributin e tij në jetën kulturore të qytetit të tij të origjinës. Profesioni i tij nuk mund përcaktohet vetëm me një fjalë, pasi bën pak nga të gjitha aktrim, dublim, reklama dhe rrallë regji.
“Vellon e bardhë” Bitraku e ka vendosur brenda katër mureve të qelisë. Kjo është shtëpia e një nëne që ndodhet aty për ushtrim prostitucioni. Ka jetuar gjithë kohës me frikën se do të zbulohej një ditë. E paevitueshmja ndodhi. Policia i vë prangat njëlloj si kriminelëve dhe vrasësve.
Burgu i shkatërron jo vetëm jetën brenda hekurave por edhe atë që ka lënë jashtë. Në qelinë e ftohtë dhe të pistë ajo përballet me veten si grua, nënë dhe femër. Fyerjet ekstreme të gardianit i përballon me qetësi, por mohimi i fëmijëve dhe i bashkëshortit është një dhimbje që kalon çdo kufi. Janë ata e vetmja arsye për të jetuar.
Ndonëse në burg, një vend ku e kanë çuar për të shlyer “dënimin”, ajo nuk e përligj sjelljen e saj, në mënyrë të vazhdueshme mban qëndrim ndaj këtij veprimi. Pranon që ishte vetëm varfëria ajo që e detyroi të merrte rrugët.
Bitraku tregon se e zgjodhi “Vellon e bardhë” si një monodramë që simbolizonpastërtinë e figurës femërore. “Kjo metaforë përdoret në pjesën finale, kur personazhi tenton të varë vetën nëpërmjet një velloje, gjatë një procesi shpirtëror të çekuilibruar”,- shpjegon regjisori titullin e veprës.
Ai shton se pjesa mund të lexohet qartë si një protestë e fortë karshi shoqërisë shqiptare. Ky qoshk ku kjo shoqëri e ka çuar femrën është thelbi i zgjedhjes për ta venë në skenë monodramën. Bitraku është nga ata që mendon se në burgje e kanë vendin njerëz shumë më të këqinj se sa një femër që nuk duron dot urinë e fëmijëve, gjëja që e detyron të shesë trupin. Për këtë situatë të krijuar mes nesh, një pjesë të fajit ai ia vesh edhe klasës politike që nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’i dhënë fund këtij tranzicioni të gjatë. “Unë kam përshtypjen se gruaja shqiptare vuan shumë edhe nuk ka hapësirat e duhura në të gjithë sektorët e jetës. Kjo shoqëri, kjo klasë politike duhet të bëjë shumë më tepër për këtë grua. Këtë kemi dashur të shprehim me vënien në skenë të “Vellos së bardhë”.”
Monodramat nuk janë një provë e lehtë për aktorët. Për të marrë përsipër interpretimin në një pjesë të tillë duhet të kenë shumë përvojë në skenë. Kjo ka qenë arsyeja pse Bitraku regjisor zgjodhi protagoniste një aktore komike por me përvojë. “Ia kam besuar rolin Zamirës sepse mendoj se ka arritur një kulm në karrierën e vet”,- shprehet ai.
Madje është përvoja e Zamirës ajo që e ndihmon më shumë këtë regjisor “part time”. Kita përveçse aktore nuk i kursen edhe sugjerimet për detaje të caktuara të shfaqjes.
E veçantë është skenografia e realizuar nga Roland Karanxha, një kombinim i tradicionales me video projeksionin, që sillte në skenë figurat e hijezuara të familjarëve të së burgosurës. Po kështu edhe prezenca e gardianit në skenë vetëm nëpërmjet zërit.