E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreptësisht kundër muzikës me motive orientale

Intervista me Bujar Qamilin. U vlerësua dje nga presidenca “Mjeshtër i madh”

Bujar Qamili ështënjë emër që vazhdon të jetë prezent dhe të komunikojë me publikun e këngës popullore. Nuk janë pak, por tridhejtë vjet aktivitet, kontribut i vlerësuar dje në mesditë nga presidenca, nga vetë kreu i vendit, Bamir Topi, me titullin “Mjeshtër i Madh”. Këngëtari shkodran, me katër albume të realizuara dhe dhjetëra recitale, në një rrëfim të shkurtër për “Shekullin”, pak para marrjes së këtij vlerësimi moral nga Presidenti i vendit.

Urime për vlerësimin Bujar. U kurorëzua kështu një 30-vjetor në skenë me këngën popullore.

Plot 30 vjet. Kënga popullore është jeta ime. Nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë, edhe pse kam patur tjetër ëndërr.

Dhe cila ishte ajo?

Të bëhesha futbollist. Isha në klasë sportive dhe fitova të drejtën që të vazhdoj në Durrës Shkollën e Mjeshtrisë Sportive, por nuk shkova.

Kjo shpjegon mbase lidhjen tuaj me futbollin dhe ekipin e “Vllaznisë”...

Po, kam dy këngë që këndoj për këtë ekip, e ndjek së tepërmi dhe marr pjesë në gëzimet e sukseset e tij.

Nga futbolli tek kënga, si ndodhi?

Në gëzime familjare këndoja me dëshirë pa menduar se një ditë gjithë jeta ime do të përqendrohej tek kënga. Në familjen time askush nuk ka kënduar. Një shok imi, Ferit Selmani, që aktivizohej me këngën ma mbushi mendjen duke më thënë “ti ke zë të bukur. Lëre futbollin dhe merru me këngën”. Jam aktivizuar në shtëpinë e kulturës dhe filarmoninë e Shkodrës, më pas në klubin e rinisë “Herojtë e Vigut”, me grupin artistik të ndërmarrjes së duhan cigareve dhe që nga viti 1977 jam këngëtar pranë Estradës profesioniste të Shkodrës. Kam marrë pjesë në festivale në RTSH, si fillim në festivalin e 19-të, në festivale të Shkodrës e më pas në aktivitete brenda e jashtë vendit, ku kam përfaqësuar dhe Shqipërinë. Kam bashkëpunuar me artiste të mrekullueshëm shkodranë si Luan Borova, Nazmi Lishi, Mark Kaftalli, Zef Çoba etj. Dy këngët e mia të para në skenë kanë qenë këngë për Dasho Shkrelin dhepër Naim Frashërin.

Cili është regjimi juaj i punës?

Kur punoj mbaj një regjim absolut, dua qetësi të plotë dhe këtë e dinë të gjithë sidomos familja ime. Dëgjoj shumë këngëtarët e vjetër popullorë, i dëgjoj disa herë duke studiuar se cilat prej tyre mund t’i këndoj. I kushtoj rëndësi dhe tekstit, që fjalët të shqiptohen të plota e të kuptohen nga publiku. Rreptësisht jam kundër muzikës me motive orientale, ndaj këndoj vetëm muzikë popullore shqiptare, kryesisht këngën popullore shkodrane.

Atëherë edhe familja ka kontribut të veçantë në këto 30 vjet?

Unë jam shkodran prej disa brezash, ndonëse origjina e largët është egjiptiane. Kam krijuar familjen time në moshë shumë të re, kur isha ushtar dhe dashurova e rrëmbeva gruan time Dritën, e cila është nga Vlora por jetonte në Burrel. Dhe pse jam 45 vjeç, jam bërë gjysh. Familja ime, veçanërisht bashkëshortja, kanë sakrifikuar shumë. Në shtëpi kam një mjedis shumë të mirë, harmonik ku të gjithë më kuptojnë e më ndihmojnë. Djali im i madh ka mbaruar Akademinë e Arteve për kitarë dhe jep mësim në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”.

Ju thatë se dëgjoni këngëtarë dhe repertor të jetër. Për cilët e keni fjalën?

Kam shumë këngëtarë që i kam patur e vazhdoj t’i kem idhuj, por do të veçoj Bik Ndojën, Naile Hoxhën e Nexhmije Pagarushën.

A keni menduar të largoheni ndonjëherë nga Shkodra ?

Oferta kam patur por iu kam thënë “jo”. Kudo më kanë mirëpritur por spektatori shkodran është i veçantë. Ai të ndjen, të do, të kupton mirë ngaqë e di se i përket atij. Artdashësit shkodranë janë të mrekullueshëm, të matur në vlerësime dhe mua më kanë vlerësuar maksimalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›