Duam rrugën, ajo na mbush me shpresë për zhvillim
E nderuar redaksi e “Shekulli”-t. Të rrugëtosh nëpër rrugët e Shqipërisë, e sidomos në ato të veriut, është stres më vete. E kjo, jo veç për faktin e relievit që ta mundëson vështirësinë, por edhe për gjendjen e tyre, që lë aq shumë për të dëshiruar. Rruga nacionale që lidh këto zona me Kukësin, është katastrofë e gjallë.
Kjo rrugë që i lidh njerëzit jo vetëm ekonomikisht, por mbi të gjitha shpirtërisht, kjo rrugë që mbart mbi vete histori, vuajtje dhe eksod, sot lëngon në ditët e saj të fundit.
Një rrugë tjetër e re po lind. Kjo rrugë na mbush me shpresa jo vetëm për gjallërimin e zonave ku ajo do kalojë, jo vetëm për zhvillim ekonomik që do t’i japë vendit, por edhe për atë që deri tani na ka munguar: Kryerjen e një rrugëtimi të shkurtër në kohë, e të plotësuar për nga ana e standardeve.
Kushdo që i ka parë nga afër punimet ka mbetur i mahnitur për nga madhështia e projektit, nga puna dhe profesionalizmi, e pse jo nga përkushtimi i njerëzve që aty punojnë. Kjo vepër që po plotësohet, e cila e parë me syrin e vendasve (nga ku kalon kjo rrugë) merr vlera edhe më të mëdha, do t`i shërbejë jo vetëm zonës, por gjithë Shqipërisë.
Për mua, si banore e kësaj zone të vendit, llafollogjitë e disa politikanëve, të cilët muajt e fundit s`kanë bërë asgjë tjetër përpos shpalosjes së zilisë mbuluar nën petkun e merakut, për koston e madhe që po merr kjo rrugë.
U vodh apo nuk u vodh, gjërat le t`i verifikojnë organet përkatëse të përcaktuara për këtë detyrë. Neve na duhet rruga aq shumë e munguar. S`duhet harruar që njerëzit, brenda dhe jashtë, kufirit po e masin me sy zgjatimin e saj. Mos harrojmë: Vepra do të ngelet në të mirë të njerëzve të këtij vendi.