E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaburuni e Llogoraja, po u zhbënë, nuk bëhen më

Dhënia e 100 000 hektarë tokë në zonën tragjike të Llogorasë e Karaburunit për të vendosur mullinjtë me erë të italianëve, është një çmenduri. Të shpresojmë që nuk do bëhet, ashtu si çmenduritë e tjera që na kanë zënë veshët këto muajt e fundit.

Nga anët tona tregojnë për një gjeneral të huaj që kishte shëtitur të gjithë Europën dhe, kur u ngjit në Llogora, ndaloi makinën dhe hipi në një shkëmb duke soditur. U mahnit dhe tha: “Këtu nuk plakesh kurrë, se të shëron era e luleve dhe bukuria e natyrës. Këtu jetojnë vetëm zanat, oh sa zili që e paskam këtë vend”.

Bukuritë e Llogorasë dhe Karaburunit i ka bërë natyra, po u zhbënë nga njeriu, nuk bëhen më. Në këtë zonë ka turizëm veror dhe dimëror. Të bësh aty vepra energjetike, qofshin edhe mullinj me erë, që të furnizohet Italia e të na hedhin ne ndonjë kockë, do të thotë që për një plesht të djegësh jorganin.

Në Karaburun mund të ndërtosh një qytet të dytë si Vlora ose si Durrësi, duke u shtrirë deri në Shëngjin e Kepi i Gjuzës, me hotele e vila moderne ku mund të pushojnë me mijëra e mijëra vetë.

Këto vendime nuk merren kështu tak-fak, sepse i teket një ministri apo Kryeministri. Aq më tepër që nuk janë votuar për këto gjëra. Populli i kësaj zone, vallë e ka vënë firmën? Po populli i Tiranës që po shkon në 1 milion, vallë e ka vënë firmën?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›