E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizhga-Strazimiri, incident në seancë

Kryetarja e Kuvendit, këmbënguli se në nëntë muaj nuk është zbuluar asnjë provë për manipulimin e pretenduar të zgjedhjeve

Seanca e djeshme maratonë e Kuvendit të Shqipërisë ka rifilluar në orën 09:30 të mëngjesit, pasi ishte ndërprerë vetëm disa orë më parë. Gjatë orëve të paradites, në foltore janë paraqitur një nga një deputetët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ata kanë bërë “shërbimin” e tyre, duke mbajtur fjalën në mbrojtje të qëndrimeve përkatëse të grupeve parlamentare. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ishte ajo që ndezi situatën në orët e paradites, teksa sulmoi opozitën. Topalli theksoi se kjo seancë e Kuvendit ishte kthyer në një gjyq politik për komisionerët e Partisë Socialiste. Teksa shprehu keqardhje për këtë fakt, Topalli këmbënguli se në nëntë muaj nuk është zbuluar asnjë provë për manipulimin e pretenduar të zgjedhjeve. Kryeparlametarja akuzoi opozitën se me qëndrimet e saj po ndikon negativisht ndaj procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Pas Topallit, fjalimet kanë vijuar normalisht deri në orët e pasdites kur dhe ka marrë fjalën deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Igli Cara. Në fjalën e tij, ai ka përdorur pjesë nga fjalimi i disa orëve më parë të deputetit socialist të Durrësit, Gazmir Bizhga. Në fund të fjalës së Carës ka kërkuar të replikojë deputeti Bizhga, por kjo nuk i është bërë e mundur nga drejtuesi i Kuvendit.

Në këtë moment Bizhga ka dalë në foltoren e Kuvendit dhe ka kërkuar fjalën. Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, ka filluar të shkëmbejë akuza me Bizhgën dhe më pas është ngritur në këmbë, duke u afruar drejt një konfrontimi fizik. Në këtë moment kanë ndërhyrë punonjësit e Gardës së Republikës dhe është shmangur precipitimi i mëtejshëm. Drejtuesi i Kuvendit kërkoi pesë minuta pushim për ta rifilluar më pas këtë seancë parlamentare. Pas rifillimit të seancës e mori fjalën deputeti Bizhga dhe në fund të saj, pati sërish shkëmbime të replikave. Drejt Bizhgës u nisën disa deputetë të Partisë Demokratike dhe oficerët e Gardës rrethuan podiumin, duke mos arritur dot të shmangin shtyrjet mes deputetëve. Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, pak orë pas ngjarjes ka sqaruar incidentin e ndodhur në sallën e Kuvendit mes tij dhe deputetit të PS-së, Gazmir Bizhga. Në një intervistë telefonike për “Ora News”, Strazimiri e cilësoi këtë incident si një provokim i shëmtuar. Sipas tij, oficerët e Gardës shmangën gjithsesi përplasjen fizike mes deputetëve. Deputeti Bizhga dha gjithashtu versionin e tij për këtë ngjarje që ndodhi në seancë. Sipas tij, pas fjalimit të deputetit Cara ai ka kërkuar të drejtën e replikës, por nuk është lejuar. Më pas ai pohoi se është kërcënuar nga deputetët e Partisë Demokratike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›