E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotet Adriatiku, karburanti i anijes përfundon në det

Durrës Mjeti lundrues po pritet për skrap. Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk është në dijeni

Ndotje masive me karburant e plazhit të madh të Durrësit, ndërsa Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk është në dijeni. Ndërsa sezoni turistik po afrohet, ujërat detare të Adriatikut në plazhin më popullor të vendit janë ndotur për shkak të prerjes së një anijeje për skrap. Vatra të mëdha karburanti, lëngjesh hidraulike dhe grasoje kanë njollosur Adriatikun përgjatë vijës bregdetare që shtrihet nga sektori “Teuta” i plazhit deri te “Hekurudha”, duke alarmuar vizitorët në bregdet. Ndërkaq drejtuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Durrës, Ramazan Kilia, pohoi se nuk është në dijeni për këtë ndotje dhe se askush nuk ka marrë më parë leje mjedisore pranë kësaj agjencie për të kryer veprime mbi objektin lundrues. Për ndotjen e konstatuar së fundmi duhet një ndërhyrje e menjëhershme për të siguruar largimin e saj. Ekspertët në varësi të sasisë dhe llojit të karburanteve duhet të ndërmarrin një përgjigje të shpejtë pastrimi ndaj ndotjes së ndodhur, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të saj. Ndërhyrja për të siguruar skrap nga një anije, e cila për shkak të fortunalit të janarit doli në cektinë, është shndërruar në një ndotëse masive për plazhin. Anija tregtare e braktisur po sharrohet për skrap hekuri, ndërsa i gjithë karburanti i saj, hidrokarburet, kanë përfunduar në det. Pushues ditorë tregojnë se kanë parë dhe peshq të ngordhur mbi sipërfaqen ujore, gjë që tregon dhe një ndikim të shpejtë dhe me pasoja për gjallesat detare. Në periudha të ndryshme anijet janë kthyer në ndotëse të ujërave detare, kryesisht në basenin portual të Durrësit. Këtë herë dukuria është shfaqur rishtas, por në plazh. Afrimi i sezonit turistik dhe rrymat detare kërcënojnë me ndotje një pjesë dhe më të madhe të plazhit. Ndotja është e shkallës së lartë dhe me një shtrirje që sa vjen e shtohet, ndërsa drejtuesi i ARM-së pohon se ai dhe inspektori tjetër që përbëjnë dhe agjencinë mjedisore do të angazhohen, për të verifikuar situatën dhe ndërhyrë për pastrimin e saj me mjetet e portit. Anija që këputi spirancën dhe doli në breg tashmë është kthyer në një skelet që zhvishet me shpejtësi përmes sharrimit nga pjesët e hekurta dhe derdhja e karburantit prej saj ka përfunduar, duke u përhapur me shpejtësi në një vijë të konsiderueshme detare. Ndotjet mjedisore të kësaj natyre duhet të ndëshkohen në bazë të ligjit, pasi shkaktojnë një dëm të pallogaritshëm të florës dhe faunës detare, pa llogaritur pasojat e ndotjes së ujërave detare dhe sëmundjeve infektive që ato shkaktojnë tek njerëzit dhe kthimin e banjave detare në të pashfrytëzueshme. Në mënyrë të vazhdueshme baseni portual, por dhe ujërat e plazhit, janë shfrytëzuar për interesa të ngushta personale të ekuipazheve të anijeve për të derdhur mbeturinat e ngurta, por dhe vajrat, hidrokarburet e djegura, ndërsa në rastin e fundit, ndotja ka ardhur si pasojë e nxitimit për të marrë çdo pjesë metalike të anijes dhe pa pyetur për pasojat në mjedis. Por autoritetet që zotërojnë forcën e zbatimit të ligjit ndaj shkelësve ndjehen të pafuqishme për të ndërhyrë energjikisht në mbrojtje të mjedisit ujor e për të parandaluar pasojat e një dëmi të pariparueshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›