Do provoj mbresat e 20 vjetëve më parë
Ndonëse ka refuzuar role të mëparshme në teatër, Ndriçim Xhepa do të jetë pjesë e shfaqjes “Darka e gabuar” në rolin e nazistit. Veç grishjes artistike të veprës së Kadaresë, Xhepa e shpjegon praninë në këtë rol edhe me marrëdhëniet e hershme të tij me Fatmir Haxhirajn si regjisor. “Unë kam punuar me Haxhirajn në vitet ‘80-‘90 deri në 15 pjesë teatrore. Ai më ka angazhuar në hapat e parë të miat në teatër në vitin 1982 me një vepër shumë simpatike të një autori shkodran “Pas provimit të fundit”, që është pasuar me një vepër të Viktor Eftimiut, “Prometeu”, më tej të Rruzhdi Pulahës “Nesër është vonë” etj. Njeriu ka dëshirë t’i vlerësojë marrëdhëniet aktor-regjisor në sensin njerëzor, padyshim edhe artistik dhe kërkon t’i ketë prapë prezente mbresat edhe pas 20 vitesh”, ka thënë Xhepa. Referuar dramatizimit mbi romanin e Kadaresë, aktori shprehet se i është dukur mjaft interesante kjo ndërmarrje që në momentin që ka dëgjuar për të. “Duke pasur parasysh gjithë morinë e karaktereve, ngjarjen dhe suspancën interesante si për teatër e për film, vepra e Kadaresë, e dramatizuar mjaft mirë në këtë fazë të parë, ka një prekshmëri të dallueshme, e cila të jep mundësi regjisoriale dhe autoriale për të punuar mbi të”. Xhepa e sheh si një hap pozitiv kërkesën e Teatrit Kombëtar për dramaturgji kombëtare dhe shprehet se fakti që ka pasur disa të tilla tregon se në Shqipëri ka autorë dhe dëshirë për të shkruar.
#