Biznes dhe lot
Duke ikur në Durrës ndodhin çudira në gjysmë të udhës!
Po arratisesha ngadalë drejt Vorës gjatë një muzgu me shi. Tek rrëshqisja si gjarpër mbi autostradë, unë që në Durrës iki për qejf, atyre që në Durrës ikin për punë, kamionëve të ngarkuar rëndshëm, po u bëja lojën e zakonshme, orgazmën time autostradale, duke i lejuar vetë me shumë dëshirë të më parakalonin. Mirëpo, ndërkohë që bëja këto lodra, papritmas, pak pasi pata kaluar Qafën e Kasharit, nga larg, në të majtë të autostradës, më zunë sytë një det me drita. Tek afrohesha, pikat e shiut, mes vezullimesh kaleidoskopike, erdhën e u pleksën, duke krijuar një mirazh të ndritur në errësirë. Ishte si në përrallë, si në ëndërr, si nëpër filma. Ndala makinën dhe lojërat për të parë më mirë. Para një kompleksi gjigant me ndërtesa të shumëllojshme, veç dritave të panumërta dhe vezullimeve verbuese, mizëri njerëzish dhe shumë makina. S'pyeta fare për shiun. Pa çadër, zbrita nga makina për t’u zhytur në ëndrrën që ma preu rrugën. Për t’u hedhur matanë duhej të kapërceja murin ndarës të autostradës. Mbeta ashtu hipur mbi mur disa minuta në pritje sa të lirohej njëfarësoj rruga. Kaluar mbi mur vura re se hataja që m’u faneps nuk ishte as ëndërr, as film, as përrallë, por një qendër tregtare e sapohapur.
E hatashme, e mahnitshme, e pafundme ajo qendër tregtare!
Në dy sheshe gjigante ndanë autostradën, me makina të panumërta të sistemuara dhe mijëra e mijëra njerëz që hynin e dilnin. Ata që hynin ishin disi të hutuar. Ata që dilnin ishin të shumtët me diçka në duar. Në çdo kënd kujdestarë të vëmendshëm me uniformë që orientonin njerëzit dhe makinat.
Tek shihja këtë magji, m’u aty, kaluar mbi mur, më kapën ca të dridhura dhe më rrëshqiti një lot.
Pasi rruga deri diku u lirua, u nisa vrap drejt dritave për të hyrë brenda. Tek ikja m’u kujtua një tjetër lot.
Ishte fundi i vitit 1991. Kur dola për herë të parë nga Shqipëria për në Greqi. Gjëja e parë që më ra në sy gjatë atij udhëtimi pak pasi pata hyrë në Greqi ishin mallrat jashtë dyqaneve, në veranda ose mbi trotuare. Kjo gjë kaq e këndshme, ky fakt kaq paqësor, në Shqipërinë e atëhershme ishte diçka e papërfytyrueshme që edhe për më optimistin s'mund të bëhej realitet veçse pas nja njëzet a tridhjetë vitesh. Për një arsye të thjeshtë; sepse edhe boshin e brendshëm të me nder dyqaneve të asaj me nder kohe po ta nxirrje jashtë dyqanit, menjëherë e vidhnin. Nga Greqia, ku pashë edhe plot gjëra të tjera të tilla, u ktheva pas disa muajsh. Në një nga ato ditë pas kthimit u ula të pi një kafe diku në njërën prej kioskave që sapo kishin nisur të popullonin parkun “Rinia”. Një kamerier i pastër më solli një kafe me shkumë dhe aromë në një filxhan gjithaq të pastër mbi një pjatëz, lugë dhe qese sheqeri. Ai kamerier, ajo kafe, ai filxhan, ajo lugë dhe ajo qese sheqeri, mrekulli këto të papara në vendin e shqipeve gjatë zezonës dhjetëravjeçare diktatoriale, erdhën e më mbështollën një lëmsh në fyt, dhe nga sytë më rrodhi një pikë lot.
Nga loti në lot, nga ai filxhan i vogël kafeje tek kjo qendër tregtare gjigante, sa kohë kanë kaluar?!
Rreth njëzet vjet!
Shumë për një jetë njeriu!
Shumë pak për një vend ku edhe boshllëku i dyqaneve vidhej!
Kanë Greqia dhe Italia qendra tregtare, supermarkete dhe autostrada, por për të ardhur deri tek ato u janë dashur shekuj.
Ç'bëhej brenda asaj qendre tregtare?!
Hyra u solla atje brenda nja dy orë të mira.
Gjithçka që i duhet jetës në liri. Por nuk rrëfehet me fjalë. Duhet parë.
Kur dola, befas më kapi trishtimi. Mu kujtuan disa tipa, disa grindavecë, disa zevzekë, disa llafazanë.
Të nesërmen paradite kapa njërin prej tyre. O zagar, i bërtita, ti që leh nëpër gazeta se Shqipëria po varfërohet, pa eja me mua!
Nuk m'u zemërua zagari, më ndoqi nga pas, erdhi. Nuk mua zemërua, sepse ai dhe të gjithë e dinë, që unë jam Edison Ypi, ai që të bërtiturën e ka ngritur në art.
E mora llapaqenin e gazetave e çova tek qendra tregtare marramendëse, ku tashmë shiu kishte reshtur. Dëgjo, i thashë, ik futu aty brenda dhe mundohu të nxjerrësh ndonjë konkluzion çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me Shqipërinë në këta njëzet vjet, është varfëruar, pasuruar, apo ka mbetur në vend. Unë po të pres këtu jashtë. Dhe ta dish se po dole para një ore, të vrava me duart e mia. E pashë që hyri brenda dhe ika. Kur ta takoj prapë, po s'i qe kthyer mendja, s'është çudi thonjtë në fyt t'ia ngul.
Të nesërmen e së nesërmes solla zvarrë një tjetër tek qendra tregtare. Është nga ata që llomotisin pafund dhe qahen gjithë kohës pse Shqipërisë po ia liberalizojnë vizat për në Evropë gjashtë muaj më vonë se Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë. Tek e shpija me makinë tek qendra tregtare me përmasa të pabesueshme, i dhashë edhe këtij një leksion paraprak me të bërtitura rrugës. O pis, i ulërita, Shqipëria deri në '90-ën ishte dy mijë vite mbrapa Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë. Është a s'është e vërtetë që shqiptarët me mijëra që çanin kufirin mes qensh, plumbash dhe telash me gjemba, shihnin në ato vende Lirinë?! Nuk e kupton o derr, i thashë, se gjashtë muaj më vonë se ata, i bije që Shqipërisë t'i liberalizohen vizat një mijë vite para tyre?! Nuk fliste ndyrësira derisa arritëm tek parajsa e mirëqenies. Hyr brenda! - e urdhërova. Hyr, dhe shihi të gjitha, dhe ta dish se po dale para tre orësh, me vete kam marrë një biçak me të cilin fytin do të ta pres. Iku kokulur ditëziu, se me aq fort sa e kërcënova, me siguri do ketë ndenjur jo më pak se nja pesë orë.
Këtë punë po bëj gjithë këto ditë.
Pas skeptikut të vizave mezi prita të gdhihej e nesërmja. Ika që në mëngjes tek një i njohur i vjetër elektricist, qejfli veglash. I iku jeta me një kaçavidë të shtrembër ndër duar të ziut. Ky e di që sot në Shqipëri qendrat tregtare ekzistojnë, por seç ka ca si meraqe, ca si brenga, për vitet që shkuan, për jetën që i iku. Këtë, pasi e porosita të merrte me vete në xhep si hajmali kaçavidën e shtrembër, për t'iu gjendur pranë për çdo rast, ngaqë duke parë orgjinë e veglave mund edhe t'i binte të fikët, e shoqërova vetë.
Nuk e lashë pa prurë në atë qendër tregtare edhe një qejfli televizorësh që mezi e gjeta ku ishte strukur. Është ai që, vite të shkuara kur bënim kanoçe, shqiptoi atë shprehjen që do mbetet në shekuj; Meqenëse ti Edison je kanoçebërësi më i madh në Shqipëri, dhe meqenëse ky zanat nuk praktikohet tjetërkund, ti je kanoçtari më i madh në botë. Këtë nuk e shoqërova brenda. Dhe as nuk i dhashë ultimatum. S'ia pata ngenë dhe s'di pse m'u dhimbs. I thashë një punonjësi të qendrës tregtare ta ndiqte me sy mos i ndodhte ndonjë infarkt, dhe e lashë me aq.
Do t'i çoj një nga një me radhë të gjithë sociopatët të kurohen, duke bërë një udhëtim në të ardhmen, në ballin e progresit të papërmbajtur shqiptar që quhet “City Park”.
Por tani për tani, këtë fazë të parë vizitash kurative në Tempullin e Konsumit, vizita këto me efekte përmirësuese psikike të pazëvendësueshme nga asnjë kontroll mjekësor apo kurë sado e sofistikuar, e përmbylla me një tip bajagi interesant. Është një mik që jeton në Amerikë dhe që për fat ndodhet këtu këto ditë. Më është lutur kaq herë, eja - eja në Amerikë, ta paguaj unë biletën, ta paguaj unë qëndrimin, t'i paguaj unë të gjitha, dhe unë kurrë s'kam pranuar. Ikëm bashkë e pamë atë qendër tregtare llamburitëse. Kur dolëm i thashë: E pe?! E more vesh tani pse unë dhe mijëra të tjerë si unë në Amerikë nuk vijmë? Jo vizën dhe qëndrimin, por edhe Amerikën të na e falësh. Sepse, mësoje; Jo pa ju rrënjëshkulurit që ikni apo të ngjashmit tuaj që s'ikin por lart e poshtë nëpër gazeta lehin, por pa ne, pa ne idealistët, pa shpirtin tonë, pa vendosmërinë tonë, pa sakrificat tona, pa urtësinë tonë, pa njerëzillëkun tonë, pa dashamirësinë, mbështetjen dhe nxitjen, që ne i bëjmë biznesit, për të cilin derdhim edhe lot, as qendra tregtare si kjo e fundbotshmja që sapo pamë, as autostrada, as supermarkata, dhe asgjë tjetër nuk ndërtohen dot.