E Diel, 1 Nëntor 2026

KRRTRSH kalon “lupën” në zonat turistike

Çdo projekt për fshatrat turistikë, çdo leje e dhënë nga KRRT e bashkive dhe komunave në zonat bregdetare, tashmë do të kalojë nën “lupën” e KRRTRSH-së, pasi prej vitesh është konstatuar se janë kryer veprime antiligjore dhe shkelje të kondicioneve urbanistike. Sipas specialistëve të sektorit të urbanistikës, është prekur zona e gjelbër dhe janë shkelur kushtet turistike në ndërtim. Kështu, zona turistike në bregdetin e Durrësit do të bëhet objekt i një rishqyrtimi, për të vendosur përfundimisht mbi perspektivën e zhvillimit të turizmit. Masterplani pritet të shqyrtohet nga KRRTRSH-ja, e cila do të ketë në plan të parë ecurinë e ndërtimeve të hotelerisë dhe zhvillimet në këto 15 vitet e fundit. Zonat si Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golemi dhe Karpen do të jenë pjesë e gjykimit të specialistëve të KRRTRSH-së, të cilët kanë shfaqur edhe shqetësimin për dëmtimin e kurorës së gjelbër si pasojë e keqorientimit nga njësitë e qeverisjes vendore. Një pjesë e projekteve dhe masterplaneve janë hartuar vite më parë, por për shkak të politikave të zhvillimit të turizmit në gjatësinë e bregdetit, nga Plepat deri në Karpen të Kavajës, është kërkuar rishqyrtim në këndvështrim të ri. Masterplani që përfshin zonën përgjatë aksit bregdetar Golem-Karpen, ka qenë shpesh objekt debatesh e ndryshimi për shkak të interesave të shumta personale të kryekomunarëve dhe kryebashkiakëve, duke dëmtuar një orientim të saktë dhe perspektiv të turizmit. Specialistët shprehen se “është saktësuar në këtë gjatësi bregdetare brezi i rërës, për godinat që të kishin lartësi kati deri në 4 kate plus papafingo, por realisht ka ndodhur krejt ndryshe”. Janë konstatuar se hapësirat e gjelbra janë tkurrur maksimalisht, kurse investitorët kanë shkelur kondicionet turistike të zonës. Për këtë shkak, autoritetet që menaxhojnë hapësirat turistike të bregdetit janë detyruar të bllokojnë dhënien e lejeve të ndërtimit dhe lejeve për shesh ndërtimi. Në vendin e quajtur Pishat e Buta në Golem janë prerë mijëra pisha gjysmëshekullore. Por më së shumti, KRRTRSH do të ndalet në studimin e masterplanit që kalon gjatësinë prej 7 km vijë bregdetare nga Përroi i Agait deri në Karpen. Për të shpëtuar rrënimin e mëtejshëm dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të komplekseve të mëdha akomoduese për pushues, KRRTRSH do të duhet të vendosë për fatin e mëtejshëm të projekteve. Edhe pse nuk është folur lidhur me fatin e disa pallateve, bizneseve dhe aktiviteteve të ngritura në mënyrë abuzive, ato do të jenë pjesë e shqyrtimit kritik për të hapur rrugën e orientimit perspektiv të vijës bregdetare. Në total bëhet fjalë për studimin e një zone me sipërfaqe prej 960 hektarësh. Atje janë ndërtuar fshatra turistike, hotele, motele e vila, por ngjitur me ato janë ngritur edhe pallate që variojnë nga 7-8 kate, duke e shtyrë zonën drejt zhvillimit urban kaotik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›