E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjenja e përkatësisë

Është nder e privilegj i madh për mua të përshëndes, në emër të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, në 19-vjetorin e themelimit të shoqatës sonë të nderuar “Çamëria”. Sigurisht është koha për të vlerësuar dhe bërë homazh për ata mijëra burra e gra të Çamërisë, që më shumë ndjenjë, forcë e sakrifica kanë punuar që çështja jonë e madhe, çështja çame, të jetë më e fortë se kurrë. Është koha për të kujtuar gjyshërit e gjyshet tona patriote, që bashkë me hapat e para të jetës na mëkuan me dashurinë e krenarinë që jemi shqiptarë të Çamërisë. Është koha për të kujtuar e vlerësuar prindërit tanë, që na rritën me halle, e megjithëse herë-herë në kushte diskriminimi nga regjimi komunist i kohës, na përcollën të gjallë historinë tonë, kulturën tonë, amanetin e brengën e tyre të madhe, Çamërinë tonë të dashur. Ne jemi këtu për të shprehur mirënjohjen e vlerësimin tonë për të gjithë ata që themeluan e drejtuan shoqatën “Çamëria” ndër vite. Ata patriotë, që bënë të mundur me përpjekjet e tyre titanike që çështja çame ta fitonte luftën me kohën. E në të gjithë bashkë duhet të jemi krenarë për ketë. Ne ja dolëm miqtë e mi, sot çështja çame është më e fortë se kurrë më gjallë se kurrë sot çështja çame ka rilindur dhe garant për këtë jemi ne, janë të gjithë çamët patriotë. Çdo anëtar i komunitetit tonë ka në ADN e tij të fortë e të gjallë amanetin e të parëve, drejtësi për çështjen çame.
Padrejtësitë nuk mund të harrohen, ne nuk harrojmë, ne kërkojmë me forcë drejtësinë e munguar.
Shikoni ç’ndodh sot miqtë e mi: Genocidi i ushtruar nga bandat e famëkeqit Napolon Zerva viktimizoi 30 mijë çame në vitin 1944, sot ajo është 10-fishuar e përcillet fort tek nga 300 mijë anëtarë të komunitetit tonë. Populli nuk shuhet kurrë, por ai shtohet.
E ne jemi sot 300 mijë, që kërkojmë drejtësi e kemi me vete të gjithë kombin shqiptar. Prandaj e drejta jonë do të fitojë.
Ne vlerësojmë e u jemi mirënjohës të gjithë atyre, që drejtuan shoqatën “Çamëria”, duke filluar që nga kryetari i parë i saj i ndjeri Abaz Dojaka e duke vazhduar me Arshim Rexhen, Ylmi Saqen, Bedri Myftarin, Qani Biracin, Selman Shemën, Servet Mehmetin e Adrian Tanën.
Ndërsa mora ftesën për të marrë pjesë në aktivitetin me rastin e përvjetorit të themelimit të shoqatës “Çamëria”, fillova të reflektoj apo të lexoj diçka për “ndjenjën e bashkësisë”, ndjenjën e komunitetit, apo “ndjenjën e përkatësisë”.
Në fakt të dy këto koncepte, janë plotësues të njëri-tjetrit. Nuk janë krejt pa lidhje. Do përpiqem t’i shtjelloj këto dy koncepte në historinë modern të bashkësisë sonë, të komunitetit tonë. Ndjenja e bashkësisë, është ajo ndjenjë e perceptimit të ngjashmërive me të tjerët, ndarja e një jete të përbashkët, dhe përkatësia në një strukturë të qëndrueshme.
Ne çamët ndihemi të ngjashëm me njëri-tjetrin, nga zakonet, nga gjuha, nga fati i keq apo mirë që na ka shoqëruar në histori. Ne kemi ndarë dhe vazhdojmë të ndajmë një jetë të përbashkët, duke mos u ndarë në të mirë dhe në të keq, pavarësisht se profesioni apo ngjarjet jetësore na kanë imponuar të ndahemi nëpër tërë qytetet e Shqipërisë, apo pse jo dhe jashtë saj.
Askush si ne nuk ndjek jetën e tjetrit, festat, vakitë, gëzimet, përkujtimet si ne. Ne jemi solidarë me njëri-tjetrin. Edhe kur jemi jashtë, ne krijojmë shoqëritë tona kudo. Jo të gjithë shqiptarët që në tranzicion kanë qenë të detyruar të emigrojnë jashtë vendit, mendojnë të bëjnë jetë të përbashkët. Ne çamët e bëjmë këtë bashkim, siç tregojnë shoqatat çame në SHBA, në Itali, në Francë, Turqi, apo gjetkë dhe kam pasur rastin ta rikonfirmoj këtë të vërtetë nga mesazhet e shumta që mora me rastin e themelimit të PDU-së.
Ne çamët jemi kështu pjesë e një bashkësie të qëndrueshme, të pangatërrueshme, brenda kombit tonë. Ne jemi pjesë e komunitetit çam.
Nuk janë vetëm vuajtjet që kanë shënjuar këtë përbashkësi të komunitetit tonë, por edhe gëzimet. Vallet tona, këngët tona janë unike. Për to pretendojnë madje dy kombe, dhe kjo gjithashtu na bën krenarë.
Ky komunitet kaq i fortë, unik brenda së tërës kombëtare, nuk mund të mos kishte formën e vet institucionale, shoqatën e vet. E ka pasur gjithnjë një formë organizimi, madje dhe në vitet e para të regjimi komunist siç ka qenë Komiteti Antifashist Çam, kështu që në vitet e para të lirisë nga diktatura, lindja e shoqatës sonë ishte e paevitueshme.
Ne duhet sot të përshëndetim themeluesit e saj, ata që menduan mes vështirësive të viteve të para të tranzicionit t’i jepnin një formë institucionale jetës së komunitetit. Të ruajnë të pandërprerë trashëgiminë e më të parëve tanë. Të krijonin një formë organizimi që të mendonte për të gjithë, për të vjetrit dhe për të rinjtë. Dhe t’i jepte identitetit tonë shenja të reja ekzistence.

Ndjenja e bashkësisë krijohet mbi bazën e disa elementëve:
Marrëdhëniet që krijohen me të ngjashmit e tu, vlerësimi i ndikimit që ti mendon se arrin të krijosh brenda grupit, interesat e përbashkëta, frekuentimi i rregullt i shoqi-shoqit, të ndjerit i pranuar brenda grupit, janë faktorët që mund të kontribuojnë ose jo në krijimin e ndjenjës së përkatësisë në një bashkësi.

Ne duhet t’i falënderojmë prindërit, gjyshërit dhe gjyshet tona, që na e trashëguan këtë ndjenjë përkatësie. Dhe shoqata sigurisht ka bërë të vetën në vite, me festivalet apo takimet muzikore, me javët apo ditët e kulturës dhe kuzhinës çame, me pelegrinazhin në Qafë-Bot, me protestat e shumta paqësore.
Kjo ndjenjë përkatësie ka kaluar pra dhe tek të rinjtë. Në kohëra të vështira si ato që kemi kaluar, kjo ndjenjë bashkësie i ka ndihmuar ata të njohin veten dhe të jetojnë një jetë të veçantë ndoshta edhe në krahasim me bashkëmoshatarët e tjerë jo çamë.
E kam ndjerë vetë këtë përvojë, e kam parë rregullisht tek të tjerët, e shoh edhe sot tek Klubi i patriotëve të rinj, i të rinjve çamë, që me të vërtetë janë më patriotë se patriotët e tjerë. Ne duhet të jemi krenarë se çështja çame, e kaluar tek brezat e rinj, e gjallë tek ata, nuk do të vdesë kurrë.
Ndjenja e bashkësisë nuk është thjesht të qenit pjesë e një grupi individësh me cilësi të ngjashme.
Po vazhdoj dhe pak “të bëj teori”, por në fakt po bëj praktikë. Domethënë po vlerësoj atë që ka bërë deri më sot shoqata, dhe po jap pa i shpallur disa ide për atë se çfarë duhet të bëjë në të ardhmen.
Të dyja këto ndjenja, këto dy koncepte janë plotësisht komplementarë, apo plotësues të njëri-tjetrit. Është kjo ndjenjë që ka bashkuar çamët e moshave të ndryshëm, e brezave të ndryshëm, të jenë bashkë, të festojnë bashkë, të ndajnë dhimbjen bashkë, të ndihen çamë, të ndihen shqiptarë. Ndoshta më shumë se banorët e krahinave të tjera.
Ndjenja e përkatësisë, nga ana tjetër lidhet me identitetin personal, që pastaj shndërrohet në identitet grupi.
Ne vërtet që jemi të ngjashëm me njëri-tjetrin. Kemi të njëjtën kokëfortësi, këmbëngulje, ndjenjë ndërmarrjeje, uni personal. Pikërisht për këtë arsye ne merremi vesh me njëri-tjetrin, apo grindemi kollaj me njëri-tjetrin.

Të nderuar miq,

Nuk besoj se ju kam mërzitur me këtë analizë në dukje shkencore të ndjenjës sonë të bashkësisë, apo të përkatësisë çame.
Prej këtij reflektimi personal të shtrirë në kohë, kam marrë disa vendime në jetën time që kanë shënjuar të sotmen dhe të ardhmen time.
Kam ndjerë diskriminimin, kam ndjerë gëzimin dhe kënaqësinë e festave, dhimbjen e morteve, apo solidaritetin e fatkeqësive. Jam ndjerë gjithmonë çam dhe pjesëmarrja në pelegrinazhin e Qafë-Botës më bindi përfundimisht që shoqatës i nevojitej një formë politike shprehje.
Padrejtësitë që ishin kryer mbi ne nuk mund të viheshin në vend vetëm me veprimtarinë e shoqatës. Ajo bukur mirë kishte punuar të na mbante bashkë, të majtë e të djathtë, por ajo s’mund të ishte dhe instrument politik.
Partitë e mëdha ndërkaq nuk mund të na lejonin t’i shërbenim amanetit të prindërve dhe të parëve tanë. Ato ishin dhe mbeten nën presionin e fqinjëve duke lënë në harresë dhimbjen dhe tragjedinë tonë.
Ne duhet të gjenim forma të reja organizimi. Ne duhet të shtrinim aktivitetin tonë dhe jashtë vendit atje ku vendosej shumë për fatin e kërkesave tona.
Ne si PDU jemi shprehje e kësaj ndjenje përkatësie, e kësaj ndjenje bashkësie, të ringjallur tek të rinjtë. Ne do të punojmë akoma bashkë me shoqatën. Ne e duam shumë bashkëpunimin e shoqatës. Ne do të marrim kërkesat e saj, por edhe do t’i kërkojmë asaj të na ndihmojë në drejtime të ndryshme.
Kudo, komunitetet, popullsitë që kanë çështje kombëtare të pazgjidhura organizohen në forma të ndryshme institucionale. Edhe ne e kemi bërë këtë. Dikush prej këtyre institucioneve që nuk ka përgjegjësi politike shkon në kërkesa maksimaliste, dikush i zbut ato në emër të koniunkturës politike. Por të dy këto krahë - nëse mund t’i quajmë të tillë, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Ne duhet të arrijmë në forma të tilla bashkëpunimi me shoqatën.
Por shoqata mund të ishte megjithatë më aktive. Ajo duhet të punoj me këmbëngulje për regjistrimin e popullsisë çame sigurisht me mbështetjen e komunitetit të biznesit çam, i cili është i madh. Ky komunitet biznesi është dëshmi e talentit tonë, e aftësive tona ndërmarrëse të hershme që ne i kemi gjenetike.
Bashkë me këtë regjistrim, do të duhet të kishim sot një qendër dokumentimi të gjithçkaje ka shënjuar jetën tonë në bashkësi. Krimet, genocidin, dokumentet e pronësisë, gjithçka. Megjithatë edhe sot nuk është vonë. Do të punojmë së bashku për to.
Shoqata mund të nxisë bashkë me institutin, një tjetër formë inteligjente e organizimit tonë, njëlloj ballafaqimi ballkanik për vlerat tona muzikore, kulturore, etj.
Një nga arsyet e konkurrencës sonë të përjetshme me fqinjin tonë grek është ajo se shumë momente që ata i quajnë themeluese të identitetit të tyre janë tonat. Apo janë krijuar në tokat tona, në Çamëri, në Epir, në Jugun e Shqipërisë sonë politike.
Për fat të keq, midis studiuesve tanë dhe studiuesve të tyre nuk ka pasur ballafaqime shkencore për këto të vërteta. Nuk mund të vazhdohet më kështu: që këto momente kulturore, vallet tona, këngët tona, historia jonë të jetë akoma e përvetësuar prej fqinjit.
Duhet tentuar ballafaqimi shkencor. Ne përballë atyre, pa ndërmjetësim apo me ndërmjetësim evropian. E kini vënë re se mungojnë ballafaqime të tilla? Dhe ndërkohë e vërteta e tyre dominon në rrafshin botëror? Vallja çamiko konsiderohet greke prej evropianëve, ajo e Osman Takës gjithashtu, sa për të dhënë një shembull.
Të nderuar miq, tentova të hidhja këtu në këtë përvjetor disa ide, disa teza që mund të na nxisin për reflektim të gjithëve. E bëra këtë në shtëpinë tonë të përbashkët, shoqatën, që duhet të jetë e të gjithëve dhe jo vetëm e një grupi politik, apo krahinor. Shoqata duhet të jetë vendi ku ne vijmë e marrim avdes si themi ne çamët, vendi ku ndiejmë se sa të ngjashëm jemi. Sa të barabartë jemi. Këtu ne ndiejmë se kemi lindur të tillë, se kemi jetuar bashkë. Dhe kështu do të vdesim.
Miqtë e mi!
Ne sot të gjithë kemi një dëshirë e aspiratë, që të jemi të bashkuar të jemi më të fortë se kurrë. Partia për Drejtësi dhe Unitet është e përgjegjshme për këtë. Ne disa herë kemi bërë thirrje që, të gjendet mundësia që të gjithë faktorët politikë, që kanë në themel zgjidhjen e çështjes çame, të jenë të bashkuar. Ne jemi të bindur që, ato që na ndajnë janë shumë të vogla para asaj që duhet të na bashkojë, Amaneti i të pareve – dhe dhënia e drejtësisë për çështjen çame. Me këtë përgjegjësi ne dje kishim mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe ku u mor një vendim shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. PDU vendosi që të shprehë vullnetin politik për bashkim me të gjitha forcat politike, që kanë në themel çështjen çame e jemi të gatshëm të fillojmë negociatat politike për këtë. Ne vendosëm të mandatojmë 4 personalitete të rëndësishëm të kësaj force politike për të negociuar modalitetet e këtij bashkimi. Ky është një vendim institucional e ne jemi të bindur që duhet të ecim përpara të bashkuar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›