Zhurma dhe heshtja e një ngjarjeje në Turqi...
Është fjala për një ngjarje të thjeshtë në pamje të parë: disa futbollistë tanët, të quajtur si më të mirët e kampionatit në vazhdim, nën drejtimin e trajnerit të kombëtares Josip Kuzhe, shkuan për t’u stërvitur disa ditë në Turqi(?!) dhe pas një zhurme të fortë mediatike për aventurës e kësaj “skuadre” shqiptare në shtetin që ka një kryeqytet aziatiko-evropian, tani pas kthimit prej andej, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, po mbretëron një heshtje e plotë për atë çka ngjau atje. Duket si një ngjarje rutinë, nga ato që ndeshim shpesh në jetën tonë, ku pas mjegullave dhe shiut, dikur del edhe dielli i cili na bën ta harrojmë shpejt atë që ndodhi, për të pritur pastaj se ç’do të na sjellë e ardhmja. Kështu, mund që të mos zgjateshim më shumë me këtë “histori turke” të futbollit tonë në këtë fillimviti, por ky kalim si pa të keq i kësaj gjendjeje pak si të ngatërruar, zhurmë-heshtje njëkohësisht, jo vetëm që si shërben askujt, por nga ana tjetër çorodit edhe më shumë opinionin sportiv për atë çfarë mund të ketë ndodhur në të vërtetë atje, në një prej vendeve të preferuara ku futbolli ynë gjen shpesh strehë!
Ngjarja e thjeshtë në pamje të parë, por që me siguri është shoqëruar me shumë para për lëvizjen, akomodimin dhe përgatitjen e futbollistëve tanë në Turqi (ashtu siç bëhet shpesh me ekipin kombëtar para ndeshjeve për eliminatoret e ndryshme, evropiane apo botërore, kur grumbullohet prej shumë ditësh në Gjermani!?), u shoqërua edhe me dy ndeshje kontrolli ndaj dy skuadrave më të dobëta vendase, prej të cilave, me sa duket, përfitimi në aspektin sportiv ka qenë zero. Për këtë nuk po i referohemi konferencës për shtyp që dha Kuzheja në përfundim të këtij “zbori” turk (i vetmi informacion dhe analizë e bërë deri tani nga kompetentët e skuadrës në fjalë), të cilën gjithsesi, do ta sqarojmë pak më poshtë, por do të mjaftohemi me ato rezultate zhgënjyese që trajneri kroat arriti ndaj dy skuadrave vendase atje.
Një barazim dhe një humbje në dy ndeshje të luajtura, kudo që të luhen dhe ndaj çfarëdo skuadre, nuk mund të jenë kurrsesi një rast për t’u lavdëruar. Aq më tepër se nga ajo çka është mësuar prej andej, lojërat zhgënjyese të skuadrës sonë të zgjedhur nga kampionati në vazhdim (në fakt kishte edhe ndonjë që nuk kishte luajtur asnjë minutë në këtë sezon në Shqipëri), u shoqëruan edhe me incidente që në ndeshje të tilla kontrolli e miqësore vetëm futbollistëve tanë u ndodhin, me sa duket!? Pavarësisht gjithë kësaj historie, ishte e domosdoshme të nxirrej një mësim, që gjëra të tilla mos të përsëriten më, por ajo që u mësua pas aventurës në Turqi ishte vetëm një mosmirënjohje për mikpritësit, edhe kjo, me sa duket, një lloj “tradite e re” e futbollit tonë e shartuar me atë të trajnerit kroat, që nuk përtoi të derdhte të gjitha sharjet e mundshme ndaj skuadrës turke që fitoi.
Një skuadër e kategorisë inferiore të kampionatit turk, ajo ishte zgjedhur nga trajneri Kuzhe që futbollistët tanë të zgjedhur ta dendnin atë me gola pas një loje superiore që shpresonin të zhvillonin. Por, hesapet na ishin bërë pa hanxhinë, sepse ndërsa tanët u futën në lojë për “stërvitje”, turqit luajtën si në një ndeshje të vërtetë, ashtu siç duhet të luhen në fakt të gjitha takimet, pra jo si në ato ndeshjet e dikurshme me kinezët, ndaj të cilëve futbollistëve tanë u thuhej se s’duhej të luftonim ashtu siç duhej, por si miq të shtrenjtë që ishim me ta, mundësisht të mundeshim prej tyre! Kështu, ndryshe na çfarë e kishim parashikuar, “hordhitë turke” na e bënë kurrizin më të butë se barkun, duke e fituar atë ndeshje në fushën e kërkuar prej tanëve, atje në vendin e largët aziatik-evropian, sepse këto fushat tona në Shqipëri, me sa duket, nuk i vlejtkan askujt, përderisa i gjithë futbolli ynë këto ditë është arratisur i gjithi jashtë kufijve!
Në vend që të nxiste shpirtin e lojës së fortë dhe entuziaste për fitore, ndër këta futbollistë të rinj shqiptarë, kroati Kuzhe gjeti më të lehtën e justifikimit në këtë humbje ndaj skuadrës turke, duke i anatemuar ata me sharje nga më të fëlliqurat, aq sa na i paska quajtur edhe si “vrasës” dhe “të pabesë”, për të mos përmendur edhe të tjera të thëna në gjuhën angleze, që t’i dëgjonte me sa duket e gjithë bota e njësuar me nivelin e kroatit. Dhe, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, sipas kronikës nga Turqia, kur lanë fushën e lojës duke i dëndur plot të shara dhe mallkime fituesit, tanët me bisht ndër shalë nuk denjuan as t’u jepnin dorën vendasve, sikur ajo humbje të ishte për ta fundi i botës dhe jo thjesht rezultat i një ndeshjeje miqësore-kontrolli!? Gjithnjë, sipas kronikës nga Turqia, skuadra jonë “përfaqësuese” na qenka mundur nga ajo skuadër inferiore atje, sepse arbitri na paska qenë një anonimat që nuk na e paska njohur fare lojën e futbollit, fare larg “kulturës profesionale” të arbitrave tanë shqiptarë, që siç është vënë re deri tani nuk kanë lënë kusur pa i punuar këtij futbolli të luajtur këtu. Duket e çuditshme se si ia punojnë kështu futbollit tonë, kudo ku ai shfaq vlerat e tij si i fundit në çdo grup eliminator ku merr pjesë!? Dhe sikur të mos mjaftonin vetëm ndeshjet e rëndësishme, arbitrat e huaj me sa duket i rënkan në qafë futbollit tonë edhe nëpër ndeshje miqësore, siç pat ndodhur para ca kohe (a ju kujtohet?) në Azerbajxhan, ku për shkak të gabimeve “njerëzore” të arbitrit të asaj ndeshjeje që kombëtarja jonë po zhvillonte atje, drejtuesit e federatës shqiptare protestuan deri sa zbritën nga tribuna në fushë, të gatshëm për të mos e lënë skuadrën që të vazhdonte pjesën e dytë të lojës!!! Dhe, ja ku vjen edhe “rrengu” tjetër i këtyre arbitrave të huaj, që nuk u ngjajnë aspak këtyre tanëve, por na “masakrojnë” dhe na bëjnë të humbasim edhe në një ndeshje kontrolli, si kjo që i ndodhi një tjetër “përfaqësueseje” shqiptare, këtë herë në Turqi...
Të vijmë tani tek ajo konferencë për shtyp që u organizua për trajnerin Kuzhe në përfundim të asaj aventure të çuditshme në Turqi, ku ai dhe bosët e tij mendojnë se patën çuar atje futbollistët më të mirë të kampionatit tonë, për të parë se sa të aftë janë për të plotësuar në të ardhmen boshllëqet e kombëtares. Se, përse e morën gjithë atë rrugë deri në Turqi, për t’u siguruar për vlerat e këtyre futbollistëve (!?) dhe se çfarë rezultatesh arritën atje, ku u sakatuan, -sipas asaj që thanë vetë protagonistët tanë pas ndeshjes që humbën, - këtë tashmë e kupton gjithkush, që e ka parë prej kohësh dhe vazhdon ta shohë me sy realist këtë lloj futbolli që kemi, por ajo që tha ndër të tjera në konferencën për shtyp pas kësaj aventure trajneri Kuzhe, që kishte të bënte me fatin e ardhshëm të kombëtares, m’u duk më tepër si një tallje ndaj atyre që presin diçka prej tij sesa një absurd i katërciptë, siç ngjan të jetë në të vërtetë.
“Shpresoj shumë, - tha Kuzhe në konferencën e fundit për shtyp, - që në muajt e ardhshëm, disa nga këta të rinj të talentuar (ata që kishte me vete në kampin turk), të ikin e të luajnë jashtë Shqipërisë, sepse vetëm atje do të bëhen 100% profesionistë...” Kur dëgjon këtë deklaratë të thënë me zë kaq të lartë dhe që tashmë është mbuluar me një heshtje varri, sikur të kish qenë asgjëja e asgjësë, nuk ka se si të mos dyshosh në shejtanllëkun e saj, që nuk të çon veçse në matrapazllëkun e tij që e tha dhe të bosëve që e drejtojnë dhe e paguajnë atë. Ja pra, si na dashka futbollin e së ardhmes ky Kuzhja, që të mos kërkojë asgjë nga ky kampionati ynë, por në të ardhmen të bredhim nëpër botë, për t’i marrë “të përgatitur” ato pak talente që kemi këtu, tani për tani. Pra, që ta varfërojmë edhe më shumë se kaq këtë nivel të dobët futbolli që kemi aktualisht; që t’i mbushim pastaj skuadrat tona me sa më shumë të huaj, veçanërisht kroatë, nga ata që na rekomandon Kuzhe, të cilët zaptojnë kështu tregun për lëvrimin e futbollistëve shqiptarë. Kjo do të thotë që ne ta flemë mendjen për investimet ndaj këtyre të rinjve të talentuar që kemi, duke i detyruar ata me çdo mënyrë që të shkojnë për të luajtur jashtë vendit; pra duke varfëruar edhe më shumë futbollin tonë nga mungesa e këtyre talenteve ende të paafirmuara, që mund të shiten për një copë bukë, ndërkohë që ky futboll që luhet këtu, ka nevojë që të ushqehet më shumë nëpërmjet gjakut të tij.
A e patë se çfarë ndodhi apo çfarë po ndodh me talentin durrsak Emiliano Vila, që pas një zhurme shurdhuese mediatike na u shit tek Dinamoja e Zagrebit, por që për shkak të mosformimit të tij ashtu siç duhet, nuk luajti asnjëherë për atë ekip; madje, edhe atje ku e huazuan, tek skuadra tjetër inferiore e kryeqytetit kroat, Lokomotiva, ai u braktis aq sa tani menaxheri Kuzhe na e ktheu përsëri atje ku talenti i ka ende rrënjët e tij për t’u rritur më shumë. Pra, nuk duhen bërë kësi eksperimentesh aventurore me këta të rinj që ende nuk shfaqen siç duhet në kampionatin tonë dhe jo më pa u dalë mjekra të bredhin nëpër botë. Ju kujtohet besoj që me ardhjen e demokracisë, kur edhe tek ne nisi moda e shitblerjeve të futbollistëve, se si të parët që shkuan për të luajtur me skuadrat e huaja, me kontrata të rregullta, si futbollistë të formuar, ishin Sulejman Demollari dhe Eduard Abazi, që të dy futbollistë me shumë përvojë të Dinamos që në rolin e protagonistit, pasi kishin fituar tituj kampionë me ekipin e tyre dhe ishin afirmuar si titullarë të rëndësishëm edhe në kombëtare, atëherë gjetën kohën dhe vendin për të luajtur me sukses edhe jashtë vendit. Këtë gjë pati bërë S. Demollari me Dinamon e Bukureshtit kur u shpall kampion dhe golashënuesi më i mirë i Rumanisë, dhe, këtë gjë pati bërë edhe E. Abazi me Hajdukun e Splitit me të cilin si titullar përcaktues pati fituar edhe Kupën e Jugosllavisë së atëhershme, të famshme në futbollin botëror.
Deklaratat absurde të Kuzhes për t’i larguar sa më parë nga Shqipëria talentet e këtij vendi nuk janë gjë tjetër veçse mjete mashtrimi dhe çorientimi për këta futbollistë, që më parë duhet t’u sigurojmë kushte për t’u përgatitur këtu dhe pastaj vlerat e tyre të vërteta t’ia marrim tregut të huaj, për të mos pësuar shembullin e sa e sa të rinjve të tjerë të talentuar, që si të tillë, tani janë tretur nëpër botë si kripa në ujë. Për të mos e ilustruar këtë vetëm me shembullin e talentit durrsak Vila, por me shumë e shumë të tjerë që sapo nisin e lulëzojnë pak këtu, nisin pastaj të vyshken duke bredhur nëpër botë...
Është tjetër gjë ndonjë vend si Brazili, ku talentet e futbollit mbijnë gati në çdo centimetër të atij vendi dhe prej andej, me të drejtë ndodh edhe eksporti më i madh i tyre dhe fare tjetër gjë ky vendi ynë, që duhet të tiganiset me ato pak kokrra që ka dhe jo t’i hallakasë ata nëpër botë, siç kërkon të bëjë tani Kuzhja me bosët e tij...