Bizneset, Basha: Paketë e re fiskale për uljen e taksave
Bizneset në kryeqytet do të lehtësohen nga taksat vendore që paguajnë në Bashkinë e Tiranës. Kjo e fundit ka gati paketën e re fiskale për reduktimin e taksave, që do të kalojë pas dy javësh në këshillin bashkiak. Këto deklarata tepër optimiste për bizneset në kryeqytet janë bërë dje nga vetë kreu i bashkisë, Lulzim Basha, në Panairin Ndërkombëtar të Mobilierisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori dje pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Mobilierisë. Duke shprehur vlerësimin e tij për këtë sipërmarrje të biznesit, Basha foli edhe për masat që ka ndërmend të marrë bashkia për ta bërë Tiranën një nga qendrat më atraktive për biznes, në rajon e më gjerë. Duke folur konkretisht, kryebashkiaku shpjegoi paketën e re fiskale që planifikon të kalojë pas dy javësh në këshillin bashkiak të Tiranës. Kreu i Bashkisë bëri të ditur se së shpejti do të paraqesë para këshillit bashkiak një paketë për uljen e barrës fiskale, në mënyrë që Tirana të bëhet kështu një qytet sa më atraktiv për biznesin. “Pikërisht për këtë arsye, pas dyjavësh do t’i paraqes këshillit bashkiak të Tiranës platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës nga 60 taksa dhe tarifa vendore, që deri më sot kanë rënduar veprimtarinë e tyre bizneseve, qofshin këta të regjistruar dhe veprimtarë në Tiranë, apo miq të angazhuar në marrëdhëniet tregtare me qytetin e Tiranës”, - pohoi Basha. Po kështu, kryebashkiaku bëri të ditur se do të stimulohen investimet dhe veprimtaritë tregtare, duke hequr plotësisht taksat për një periudhë 4-vjeçare, për cilindo biznes që premton angazhim për hapjen e 50 apo më shumë vendeve të reja të punës.
Më tej, kreu i Bashkisë ka siguruar se institucioni që ai drejton do të jetë një aleat i biznesit të mobilierisë, duke ofruar të gjithë asistencën dhe lehtësirat e duhura, si dhe duke e parë këtë bashkëpunim si mundësi për shtimin e vendeve të punës, sepse, sipas tij, ky mbetet prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, kryebashkiaku u shpreh se politikat që do të ndërmerren në këtë drejtim synojnë që askush të mos mendohet gjatë para se ta vendosë gishtin te Tirana, si qyteti më i favorshëm për të bërë biznes.
“Pas dy javësh do t’i paraqes këshillit bashkiak të Tiranës platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës nga 60 taksa dhe tarifa vendore, që deri më sot kanë rënduar veprimtarinë e tyre bizneseve”
Trotuaret, 84 subjektet që duhet të lirojnë hapësirat
Nis më 1 tetor aksioni. Pesë fazat e ndërhyrjes së Bashkisë për të liruar rrugët e trotuaret
Dy ditë para nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte të ndryshme, Bashkia e Tiranës shpjegon masat që do të marrë duke filluar nga data 1 tetor. Plani i masave që do të zbatojë Bashkia parashikon pesë faza, që janë: lirimi i hapësirave publike të zëna nga 84 subjekte fizike apo juridike, të cilët kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale; lirimin e hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje, pavarësisht nëse paguajnë ose jo detyrimet fiskale; lirimin e hapësirave publike nga 107 automjete që dergjen të palëvizura prej kohësh në rrugët e Tiranës. Bashkia e Tiranës u kërkon poseduesve të këtyre automjeteve që të marrin masa për zhvendosjen e tyre, pasi, në të kundërt, këto mjete do të asgjësohen nga autoritetet bashkiake; lirimin e hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin pa asnjë bazë ligjore; lirimin e hapësirave publike nga të gjithë subjektet e tjera tregtare, duke përfshirë edhe ato që kanë paguar detyrimet deri më datë 1 tetor. Aksioni për lirimin e hapësirave publike do të nisë me 84 subjektet e fazës së parë, e po kështu do të veprohet edhe me subjektet e katër fazave të tjera. Subjektet fizike dhe juridike të evidentuara nga bashkia për ndërhyrje në fazën e parë, kanë zënë në mënyra nga më të ndryshme trotuaret, duke filluar që nga bllokimi i rrugës për parkim dhe për ushtrimin e aktivitetit, vendosje tabelash, nxjerrja e tavolinave dhe karrigeve në hapësira publike, zënie rruge me vazo e çadra etj. Pjesa më e madhe e këtyre subjekteve janë lokale, fast-foood, agjenci udhëtimesh, si dhe dyqane të tregtojnë produkte të ndryshme. Bashkia e Tiranës ka lajmëruar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur subjektet që kanë zënë hapësirat publike në Tiranë që të lirojnë vendet ku ushtrojnë aktivitetin, deri në datën 1 tetor. Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës shprehen të vendosur që të zbatojnë ligjin dhe t’u kthejnë qytetarëve hapësirat e zëna si dhe të krijojë lehtësirat që qytetarët e Tiranës meritojnë.
Bashkia, 500 mijë euro për ruajtjen e trashëgimisë kulturore
Bashkia e Tiranës, duke filluar që nga viti i ardhshëm, do të kontribuojë me një fond prej 500 mijë eurosh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi dje Mozaikun e Tiranës, monumentin më të vjetër të qytetit, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Duke folur mbi vlerat kulturore e muzeale të qytetit të Tiranës, Basha u shpreh se nga viti i ardhshëm Bashkia do të kontribuojë me një fond prej 500 mijë eurosh për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kryeqytetit. “Bashkia e Tiranës, duke nisur që nga viti që vjen, do të ndajë një fond prej jo më pak se 500 mijë eurosh, i cili do të përdoret në formën e granteve, për të cilat mund të aplikojnë entet publike, bashkiake, shtetërore apo jo qeveritare dhe unë me këtë rast bëj një ftesë, të cilën po kështu do ta institucionalizoj, qeverisjes qendrore, por edhe fondacioneve të ndryshme, t’i bashkohen këtij fondi bashkiak për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Tiranës”, - u shpreh Basha. Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës do të hartojë një program rehabilitimi me financime, jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i bërë këto vlera pjesë të Tiranës turistike.