E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Të hiqet TVSH-ja për lëndët e para në bujqësi

Subjektet private që operojnë në sektorin e bujqësisë në vend i bëjnë thirrje qeverisë që të rishikojë skemën e pagimit të TVSH-së për lëndët e para. Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar-KASH, Enver Ferizaj, tha se një pjesë e kostos në bujqësi lidhet ngushtë me TVSH-në, e cila ka një shkallë tatimi prej 20 për qind. Kërkesa lidhet për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për lëndët e para (imputet) dhe për farat e fidanët. Në mbledhjen e bordit drejtues të KASH-it që u zhvillua sot, presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, u shpreh se "KASH synon që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, të bindë qeverinë për heqjen e TVSH-së, për imputet bujqësore që përdor sektori i bujqësisë". Nga përllogaritjet e deritanishme rezulton se gjatë vitit 2008, në vendin tonë u importuan rreth 23 milionë dollarë plehra kimikë, me një vlerë të përgjithshme TVSH-je prej 4 milionë dollarë ose sa rreth 1/4 e kostos. Gjatë vitit 2008, qeveria ndërmori një hap të rëndësishëm mbi rimbursimin e TVSH-së në masën 6 pikë për qind, për ata subjekte bujqësore që operojnë me fatura. Masa e subvencionit, edhe pse u përshëndet nga privati, nuk dha rezultat të pritshëm, në një kohë kur vlera e importeve llogaritet në një vit prej rreth 600 milionë dollarë.

Ferizaj foli edhe skemën e re të shpërndarjes së fondit 600 milionë lekë për disa kultura bujqësore, në drejtim të zhvillimit të sektorit. I gjithë fondi për 2009 është rreth 1.3 miliardë lekë, por deri në pjesën e parë të vitit do të përdoren vetëm 600 milionë lekë. Nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë do të përfitojnë fonde 19 nga 12 skema që ishin vitin e kaluar. Kështu, për prodhim vaj ulliri ekstra-vergine subvencioni është 100 lek/litër, mbrojtje e ullishtave nga miza e ullirit është 17 mijë lekë/ha, certifikimi i produkteve bujqësore bio nga bimët e kultivuara, deri në 70 mijë lekë/fermë, etj. Për fermat blegtorale, shpjegoi Ferizaj, që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë qumështi të matrikulluara dhe që dorëzojnë prodhimin në qendrat e përpunimit të regjistruara në organet tatimore, masa e mbështetjes do të jetë 10.000 lekë/krerë/lopë në vit për racat e pastra.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›