E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon përzgjedhja e librave të rinj jashtëshkollorë

Përzgjedhja e librave të rinj jashtëshkollorë për nxënësit e sistemit parauniversitar ka nisur dhe propozimet për titujt që do të pranohen mund të paraqiten deri më 20 shkurt. Për vlerësimin e tyre është ngritur një bord i veçantë. Ndërkohë që ka edhe një seri kriteresh specifike që duhen përmbushur nga botuesit për seleksionimin e titujve më të mirë. Brenda këtij procesi, sipas MASH-it janë konceptuar edhe vetë mësuesit që duhet të japin mendimin e tyre për këta libra jashtëshkollorë, por që ndihmojnë në formimin e përgjithshëm dhe specifik të nxënësve, duke plotësuar dijet e marra nga literatura didaktike.

Zyrtarisht, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur dje se "deri më 20 shkurt 2009 Bordi i rekomandimit të literaturës së mendimit historik, filozofik, sociologjik dhe psikologjik (BORELHIS) pranë MASH do të pranojë propozime për tituj të rinj që mund t‘i shtohen listës për literaturën në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar".

Gjithashtu, sqarohet se BORELHIS do të marrë në shqyrtim kërkesat e botuesve, të cilët ofrojnë literaturë në fushën e mendimit historik, filozofik, psikologjisë, sociologjisë dhe do të miratojë ato të cilat plotësojnë kriteret dhe pikësynimet e shkollës shqiptare për vlerat njohëse dhe edukative, në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare brenda dhe jashtë shkollës.

Përzgjedhja përfundimtare e librave sipas titujve të listës së BORELHIS do të bëhet në çdo shkollë nga komisioni lëndor, në përbërje të të cilit janë të gjithë mësuesit e historisë për shkollat 9-vjeçare dhe mësuesit e historisë, sociologjisë, psikologjisë dhe të filozofisë për shkollat e mesme.

"BORELHIS ka për qëllim të këshillojë nxënësit e mësuesit e arsimit parauniversitar se çfarë të lexojnë në orët e lira, por edhe si literaturë shtesë në ndihmë të temave të programit zyrtar", shprehen më tej përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Lidhur me kriteret e përzgjedhjes, bëhet e ditur se bordet pranojnë për shqyrtim botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese. Ata konfirmojnë faktin se "çdo botim që do të paraqitet në borde duhet të jetë në 3 (tri) kopje dhe të shoqërohet me shkresën përcjellëse, ku të jepen kriteret, në bazë të të cilave shtëpitë dhe entet botuese kanë bërë përzgjedhjen, si dhe certifikatën e të drejtës së autorit nga zyra përkatëse".

Më tej sqarohen se bordi nuk merr në shqyrtim botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit dhe që rezultojnë me probleme redaktoriale apo drejtshkrimore.

MASH ka ngritur bordin e rekomandimit të literaturës së mendimit historik, filozofik, sociologjik dhe psikologjik (BORELHIS) me anëtarë: Ferit Duka, studiues i Historisë në Institutin e Historisë; Adem Tamo, pedagog i Psikologjisë në UT; Gjergj Sinani, pedagog i Filozofisë në UT; Liman Varoshi, pedagog i Historisë në Universitetin e Elbasanit; Ndriçim Mehmeti, përgjegjës i sektorit të arsimit të mesëm, si dhe Luan Malltezi, studiues në qendrën e Studimeve Albanologjike. A.Rr.

1. Ferit Duka Studiues i historisë, Instituti i Historisë
2. Adem Tamo Pedagog i Psikologjisë, UT
3. Gjergj Sinani Pedagog i Filozofisë,UT
4. Liman Varoshi Pedagog i Historisë Universiteti i Elbasanit
5. Ndriçim Mehmeti Përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm
6. Luan Malltezi Studiues, Qendra e Studimeve Albanologjike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›