E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, dush të ftohtë Tatimeve

Reforma e shumëpritur nga qeveria ndaj administratës tatimore duket se ka mbetur vetëm në letër, pasi në realitetit nuk u arrit asgjë. Zv/ministri i Financave, Florion Mima, protagonist gjatë debatit me Kryeministrin për rritjen ekonomike, kësaj here është shfaqur tepër kritik ndaj kreut të Tatimeve, Arben Sefgjini, lidhur me disa tregues që nuk janë arritur. I gjendur në analizën vjetore të administratës tatimore, Mima pasi dëgjoi kreun e Tatimeve mbi performancën e realizmit të të ardhurave, nuk ngurroi të thoshte që në fillim "që shifrat e rritjes nuk mjaftojnë". Duke marrë shkas nga ankesat e bizneseve mbi rastet e abuzimit me ligjin, si dhe ndaj uljes të evazionit fiskal, jo sipas parametrave të kërkuara, numri dy i Financave pranoi se problemet me administratën tatimore nuk akne mbaruar. Këtë fakt e përmendi më herët kreu i tatimeve, Sefgjini, i cili tha se mbetet ende punë për të bërë. Në total, të ardhurat nga tatimet gjatë vitit 2008 rezultuan në masën e 23 miliardë lekëve më shumë se vitit 2007.

Mangësitë

Mungesë shifrash, e ngurtë, jo transparente dhe korruptive. Këto janë disa nga kritikat më të rëndë të lëshuara ndonjëherë ndaj një administrata tatimore, që nga koha e krijimit të saj. Akuzat bëhen më të rënda kur vijnë pikërisht nga numri dy i Financave, i cili mbulon sektorin e taksave në vend. Mima, pasi falënderoi Sefgjinin për analizën e paraqitur rreth punës së bërë, nuk ngurroi që në fillim të niste me kritikat. "Shikoj që ka rritje të ardhurave, por duhet të them se kjo nuk mjafton. Puna e juaj nuk janë vetëm mbledhja e taksave, por edhe rritja e shërbimit ndaj bizneseve, sikundër e parashikon ligji i ri për procedurat tatimore", iu drejtua Mima, drejtorëve të administratës tatimore, të cilin ishin të pranishëm në sallën e mbledhjes. Më tej, Mima shtoi se, administrata tatimore nuk është në atë nivel që pritej, komfort reformave të ndërmarra nga qeveria. "Mjafton të shikojmë sesa biznese janë regjistruar dhe sa deklarojnë bilancin, për të kuptuar punën jo të mirë që është bërë në 2008. Të paktën, nga studimi i bërë rezulton se rreth 50 mijë kontribuues nuk janë të regjistruar pranë tatimeve, edhe pse në të vërtetë ka një rritje çdo vit", tha zv/ministri i Financave.

"Dëgjova me vëmendje drejtorin Arben Sefgjini, por nuk mësova se çfarë është bërë me luftën ndaj korrupsionit. Nuk dëgjova shifra ndaj masave disiplinore, nisur nga fakti se administrata ka shumë problem", vijoi më tej kritikat Mima.

Sa i takon zbatimit të ligjit, zv/ministri tha se "një pjesë e punonjësve shkelin ligjin për interesa personale", kurse lidhur me stafin, Mima shtoi se, "ka probleme me burimet njerëzore dhe me trajnimin e inspektorëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›