Shalsi: Berisha dhe Meta, jo politikë me hallet e qytetarëve
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka reaguar sot, duke iu referuar përsëri pasojave që sjell mosmiratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës për qytetarët, dhe pikërisht në shkollën e re "Pal Ëngjëlli", ku nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle janë të detyruar të vuajnë pasojat e mungesës së energjisë elektrike në shkollën e tyre. Shalsi u shpreh se "kjo shkollë e re duhet të lidhë kontratën e energjisë, por fatkeqësisht, prej ditësh, për fëmijët e mësuesit e saj s‘ka drita, sepse buxheti që mbulon shpenzimet e reja të qytetit për vitin 2009 u rrëzua nga Sali Berisha e Ilir Meta. A nuk është revoltuese që për një pseudo fitore politike të Sali Berishës e Ilir Metës në sallën e Këshillit Bashkiak duhet të paguajnë fëmijët e mësuesit e kësaj shkolle?!" Sipas Shalsit, është koha që t‘i japim fund politikës së politikanëve që u fikin dritat fëmijëve për të bërë të pakënaqur prindërit, t‘i japim fund politikës që pengon shërbimet ndaj qytetarëve, për hir të interesave të vogla të politikanëve, t‘i japim fund politikës që bllokon kthimin mbrapsht te qytetarët, të parave të mbledhura në arkën e bashkisë, përmes investimesh e shpenzimesh që përmirësojnë jetën tonë të përbashkët. "Është koha që Sali Berisha e Ilir Meta të ndezin dritat e kësaj shkolle të re dhe të mos bëjnë politikë me hallet e nevojat e kryeqytetasve", theksoi nënkryetari i bashkisë.