E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset apel qeverise: Të ulet TVSH-ja e energjisë që të përballohet kostoja



Ervin KOÇI

Shoqatat e biznesit i kanë paraqitur zyrtarisht ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, kërkesën për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike, si arsye kryesore që ndikon në shtrenjtimin e këtij produkti. “Duhet parë eksperienca e vendeve të tjera, ku çmimi i energjisë për biznesin është ulur dhe jo rritur”,- u shpreh Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për të ndryshuar tarifat e energjisë elektrike, reagimet e bizneseve po bëhen gjithnjë e më të forta. Plani i OSSH-së për ta rritur çmimin deri në 44 për qind rrezikon shume ndërmarrje në vend, duke pasur koston e lartë, mungesën e shitjeve, e deri në mbyllje aktiviteti. Institucioni që mbron interesat e bizneseve industrialiste në vend deklaron hapur se është kundër rritjes dhe u sugjeron palëve të ndiqet shembulli i vendeve të tjera që ul tarifat për bizneset. Më të drejtë për drejtë janë treguar tregtarët e vegjël, të cilët paralajmërojnë protesta në rast se miratohet një rritje e tillë e faturës së energjisë elektrike. Për Konfindustrinë ky shtrenjtim do të reflektohej direkt mbi kostot e prodhimit vendas, duke i bërë ato më pak të konkurrueshme në raport me mallrat e importit.

Barra e TVSH-së

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Konsultativ të Biznesit (KKB), ministrit Prifti iu paraqit në mbledhjen e djeshme nga ana e Konfindustrisë kërkesa për të ndryshuar projektligjin e përfshirjes në skemën e Tatimin e Vlerës së Shtuar të biznesit të paraqitur nga ministria e Financave. Njëkohësisht, Konfindustria ka paraqitur pranë KKB-së dhe variantin e saj me propozimet për përmirësim të skemës së përfshirjes në TVSH-ë të biznesit. “Konfindustria, në kërkesën dhe variantin e saj paraqitur pranë ekzekutivit shqiptar ka pasur parasysh realitetin fiskal të vendit ku evazionit me ligj i krijohen mundësitë për të përfituar pikërisht nga shkëputja e zinxhirit të transaksioneve tregtare si pasojë e pragjeve të xhiros vjetore për përfshirjen në TVSH, aftësitë e pamjaftueshme administrative të institucioneve të fiskut, përvojën e përditshme të industrive më të rëndësishme të vendit, që ndeshen me probleme të konkurrencës së padrejtë pikërisht si pasojë e evazionit fiskal dhe si rrjedhim i rezistencës së të ashtuquajturve “biznes i vogël” për lëshimin e faturave fiskale me qëllim moskalimin e pragjeve të xhiros, përputhjen e skemës së TVSH me detyrimin e vendosjes së pajisjeve fiskale”,- thuhet në deklaratën përkatëse të Konfindustrias.

Rritja e pragut

Në thelbin e kërkesës së saj, Konfindustria si institucion përfaqësues i biznesit ka kërkuar, që përfshirja në skemën e TVSH-së të mos vazhdojë të bëhet bazuar në pragun e xhiros vjetore, sikurse përsëri kërkohet në projektligjin e paraqitur nga qeveria shqiptare, por të jetë e detyrueshme për të gjithë subjektet ku do të vendosen “kasa fiskale” dhe ku përjashtim mund të bëjnë vetëm kategoria e biznesit te “tregtarëve ambulantë”. Konfindustria arsyeton ndër të tjera se ulja e pragut të përfshirjes së bizneseve në skemën e pagesës së TVSH-së nga 8 milion ne 5 milion lekë nuk mund të arrijë qëllimin e mirë të uljes së evazionit fiskal. “Është mjaft e mundur, që nga ana e bizneseve të vogla të kemi trysni të shtuar për të ulur shkallën e deklarimeve nën pragun e ri prej 5 milion lekësh/vit, duke shtuar ndjeshëm evazionin fiskal”,- vijon më tej deklarata e Konfindustrias lidhur me një fakt të tillë.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›