Mungesa e energjisë, Kroacia detyrohet të importojë me çmime të shtrenjta
Korporata Elektroenergjetike e Kroacisë është e detyruar të blejë energji me çmim prej 83 eurosh për MW/h nga dy kompani të huaja pavarësisht se çmimet aktuale të energjisë variojnë në rreth 45 euro, bën të ditur agjencia e lajmeve “Energetika.net”. Në shtator të këtij viti, drejtori i “Hrvatska Elektroprivreda”, Ivan Mravak, u shkarkua nga detyra, pasi u akuzua se kishte blerë energji të shtrenjtë, pavarësisht se qe lehtësisht e parashikueshme që çmimi do të ulej ndjeshëm. Kontratat e debatuara u nënshkruan vitin e kaluar me kompanitë “EFT”-ë dhe “Rudnap” dhe kishin çmim mesatar 83 euro për MË/h. Energjia u disbursua këtë vit, kur çmimet e energjisë në Ballkanin Perëndimor variuan në 40-45 euro për MW/h. Drejtori i ri i korporatës kroate, Leo Begovic, tentoi të rinegocionte çmimet, por të dyja kompanitë e hodhën poshtë. Kompania “EFT”-ë konfirmoi zyrtarisht se kroatët i kanë kërkuar reduktim të çmimit për të cilin qe rënë dakord dhe se e kishte refuzuar këtë kërkesë për shkak se energjia qe kontraktuar në bazë të kushteve të tregut në një kohë të caktuar. Kroacia ka blerë gjatë këtij viti 91 milionë euro energji nga kjo kompani. Një përgjigje të ngjashme mori edhe nga kompania tjetër “Rudnap”, ku është blerë 43.7 milionë euro energji. Kroacia është një vend importues neto i energjisë. Gjatë vitit 2008 importoi 5229 GW/h.
Tregtimi i bombolave të gazit, IQT-ja fillon kontrollet ndaj subjekteve
Qytetarët duhet të tregojnë kujdes me bombolat e gazit, pasi një pjesë e mirë e tyre janë të pakolauduara. Apeli bëhet nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili ka nisur kontrollet në pikat e tregtimit të gazit në kryeqytet. Gjatë ditës së sotme inspektorët e kësaj drejtorie, kanë kryer kontrolle në disa pika të tregtimit të gazit të lëngshëm në kryeqytet ku kanë konstatuar shkelje të ligjit. Shumë nga bombolat e gazit nuk kanë qenë të kolauduara nga Drejtoria Teknike, çka përkthehet në një rrezik për konsumatorin. Inspektorët deklarojnë se ky treg ka ende probleme, por janë konsumatorët ata që duhet të mbrohen duke treguar kujdes në blerjen dhe mbushjen e bombolave me gaz. Gjatë periudhës së dimrit, konsumi i gazit në vendin tonë rritet ndjeshëm, pasi ai përdoret si burim alternative i energjisë për ngrohje. Por gjatë viteve të fundit aksidentet e shkaktuara nga gazi kanë qenë të shumta. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë së bombolave. Por problemet me tregun e gazit në Shqipëri janë të shumta. Inspektorati Qendror Teknik ka evidentuar se pothuajse të gjitha pikat e tregtimit të gazit në kryeqytet kanë probleme me dokumentacionin, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre janë të vendosura në katet e para të pallave, duke përbërë rrezik për qytetarët.
5 Dhjetor 2009