E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit, padi në Kushtetuese për ligjin “Antimafia”

Drejtuesja Vjollca Meçaj: “Ministria e Drejtësisë nuk na thirri si palë interesi”

Laureta Rryçi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet ligjore të miratuara të enjten në Parlament në kuadër të paketës “Antimafia”. Drejtuesja ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Vjollca Meçaj, u shpreh dje për mediat se nuk u ftuan nga Ministria e Drejtësisë të ishin pjesë e diskutimeve të projektligjit të kthyer në ligj disa orë më parë me 74 votat e maxhorancës, por ai do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. “Ne nuk na është marrë mendimi dhe nga sa jemi informuar, as organizatave simotra që merren me të drejtat e njeriut. Në fakt, kemi tentuar ta gjejmë projektligjin, por nuk kemi mundur ta sigurojmë atë. Efektivisht jemi shumë të interesuar. Kemi ndjekur me shumë interes të gjitha denoncimet ose pretendimet që kanë parashtruar juristë të ndryshëm në cilësinë e tyre si profesionistë. Sigurisht edhe ne jemi të interesuar tani që projektligji është bërë, ka kaluar në Parlament. Shpresoj që të kemi mundësinë për ta shtënë atë në dorë”, - u shpreh Meçaj. Komiteti i Helsinkit, gjatë tryezës së ditës së djeshme denoncoi gjithashtu mungesën e sigurisë së jetës së qytetarëve të Shqipërisë. “Jeta e shtetasve shqiptarë nuk është e garantuar. Nuk është e garantuar në rrugë, nuk është e garantuar në vendin e punës. Ju keni pasqyruar me shumë vërtetësi aksidentet e shumta që ndodhin dhe është shumë traumatik fakti që Shqipëria renditet në vendin e parë në botë për aksidentet rrugore”, - tha Meçaj.
Inspektimet
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas inspektimeve në disa gjykata kryesore të vendit, konstatoi mangësi në zbatimin e procedurave si dhe paraqiti rekomandime që duhet të përmbushen nga institucionet kompetente. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi më tepër investime për të përmirësuar infrastrukturën e gjykatave në vendin tonë. Deklarata u bë dje gjatë një tryeze me aktorë të sistemit të Drejtësisë, ku dhe u prezantua raporti mbi monitorimin e disa gjykatave në rretheve dhe atyre të apelit për periudhën janar- prill 2009, në kuadër të një projekti për "Respektimin e rregullshmërisë së procesit gjyqësor". Në këtë raport evidentohet si problem numri i vogël i sallave gjyqësore, sidomos në gjykatat e rretheve, të cilat nuk plotësojnë ngarkesën në punën e tyre.
Raporti
Raporti vëren se shumë seanca zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve për shkak të mungesës së infrastrukturës. Përfaqësuesit e KSHH-së shprehën nevojën për shtimin e sallave gjyqësore dhe pajisjen e tyre me sisteme kompjuterike, në mënyrë që të ulet mundësia e zhvillimit të seancave në zyrat e gjyqtarëve. Gjithashtu në këtë takim pati diskutime mbi problematikën në sistemin gjyqësor, si zvarritjen e çështjeve shpeshherë për mungesë të avokatëve e prokurorëve, respektimin e afateve gjyqësore, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, kapacitetet e gjyqtarëve etj. Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjykatat, Prokuroria dhe nga misionet e huaja të asistencës së Drejtësisë shqiptare.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›