Dekorohen 12 personalitetet e ushtrisë, harrohen gjeneralet e viteve 45-90
TIRANË – Me rastin e 97-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, Ministria e Mbrojtjes dekoron 12 ushtarakë të lartë shqiptarë, ku mes tyre ka edhe figura të debatueshme. Ndonëse janë përfshirë në listë emra para deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, apo edhe pas viteve 90, nuk ka asnjë ushtarak që i përket gjysmës së dytë të Shekullit të XX. Ceremonia është zhvilluar dje pasdite në Ministrinë e Mbrojtjes ku ka qenë i pranishëm titullari i këtij institucioni, zoti Arben Imami. Burimet zyrtare thonë se në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendësministrat e Mbrojtjes, Zana Xhuka dhe Ekrem Spahia, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, familjarë dhe të afërm të personaliteteve që u dekoruan, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe të ftuar të tjerë. Mes figurave të ushtrisë shqiptare që morën medalje janë: Mehmet Pashë Dërralla, Ali Riza Kolonja, Mujo Ulqinaku, Abaz Kupi, Dali Ndreun, Muharrem Bajraktari, dhe për të vijuar me drejtuesit e ushtrisë pas ndryshimeve demokratike; me ish-ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulalin apo Islam Radovicka.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Imami theksoi se, në këtë përvjetor të 97-të të krijimit të Forcave të Armatosura ka nderin dhe kënaqësinë të evidentoj vlerat e personaliteteve civile e ushtarake, që kanë formuar tashmë kolonën historike ushtrisë shqiptare. “Personalitetet e mëdha formojnë epoka të mëdha. Të krijosh dhe forcosh një ushtri kombëtare është një barrë e madhe dhe një shërbim i lartë për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut”, - tha zoti Imami. Ai u shpreh se “sot vendi dhe Forcat e Armatosura janë pjesë e Aleancës së madhe të lirisë dhe paqes, NATO-s”. Më tej, ai vijoi duke thënë se “në themelet e kësaj arritje historike janë padyshim edhe kontributet e vlerat e personaliteteve që nderojmë”. Ministri i Mbrojtjes iu dha familjarëve të 12 personaliteteve medaljen e lartë “Për shërbime të shquara”.
Disa prej personaliteteve, si Abaz Kupi kanë qenë në qendër të debateve gjatë gjithë këtyre viteve për rolin që ka luajtur gjatë Luftës së Dytë Botëore.
PERSONALITETE E DEKORUARA
1.Gjeneral Mehmet Pashë Dërralla, (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara si personalitet ushtarak, themelues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe si Ministër i parë i Luftës i Shtetit Shqiptar”.
2.Gjeneral Ali Riza Kolonja (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ri-ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve shtetërorë”.
3.Gjeneral Ismail Haki Tatzati (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen, reformimin dhe përsosjen e organizimit të armëve e shërbimeve të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare”
4.Gjeneral Xhemal Aranitasi (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen, modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare”
5.Kapter Mujo Ulqinaku (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për trimëri dhe vetëmohim gjatë qëndresës për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit fashistë”
6.Major Abaz Kupi, (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen e formacioneve luftarake nacionaliste dhe organizimin e qëndresës kundër pushtuesve fashistë”
7.Kolonel Muharrem Bajraktari (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen e Xhandarmërisë Ushtarake Shqiptare dhe të formacioneve luftarake nacionaliste për qëndresë kundër pushtuesve fashistë”
8.Gjeneral Major Dali Ndreu (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në drejtimin e formacioneve të mëdha për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe reformimin e Ushtrisë Shqiptare ”.
9.Zoti Safet Zhulali (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura”.
10.Nënkolonel Hamit Bali (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontributin e dhënë në ngritjen e Arkivit Ushtarak Shqiptar dhe drejtim me kompetencë të lartë profesionale”.
11.Kapiten Kamber Sejdini (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, për vetëmohim në mbrojtje të idealeve demokratike dhe për kontribut të veçantë në fushën e terminologjisë ushtarake shqiptare”.
12.Kapiten Islam Radovicka (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazistë dhe për mbrojtjen e idealeve demokratike”.
5 Dhjetor 2009