Të ardhurat në buxhet, qeveria parashikon rritje të taksave vendore në 2010-n
Ervin KOÇI
Qeveria parashikon që të rrisë taksat dhe tatimet vendore duke shtuar në këtë mënyrë të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm. Pas reduktimit që do tu bëhet vitin që vjen një pjese të tarifave dhe taksave doganore, si pasojë e hyrjes në fuqi të MSA-së me Bashkimin Europian, gropën e shkaktuar në buxhet qeveria synon ta mbulojë me të ardhurat nga pushteti vendor. Një prej masave që pritet të merret vitin që vjen është dhe ulja e pragut të xhiros vjetore për biznesin e vogël nga 8 në 5 milionë lekë, duke e klasifikuar pjesën më të madhe të subjekteve si të mëdha. Kjo masë bashkë me shtimin e taksave të tjera për pushtetin lokal, jo vetëm që rëndon subjektet e biznesit të vogël, por ajo shkakton anomali edhe për vendorët. Mbyllja e shumë subjekteve të biznesit si pasojë e rëndesës me taksa, do të sillte më pak të ardhura për bashkitë dhe komunat në vend. Por nga ana tjetër qeveria justifikohet me faktin se vitin e ardhshëm ajo ka planifikuar më shumë fonde për pushtetin vendor në buxhet. Megjithatë e vërteta flet ndryshe. Fondet për buxhetin e vitit 2010, jo vetëm që nuk janë shtuar por pakësuar. Kjo do të bëjë që në shumë bashki dhe komuna të vendit, punonjësit e tyre mund të mbesin edhe pa punë pasi do të shkurtohen vendet. Edhe aktualisht shumë njësi të pushtetit vendor nëpër rrethe nuk po japin dot pagat për punonjësit e tyre. Por këto pretendime nuk janë pranuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka deklaruar dje krejt të kundërtën.
Fondet
Ulja e xhiros vjetore për biznesin nga 8 milionë lekë që është aktualisht në 5 milionë lekë nga 1 janari i vitit të ardhshëm nuk konsiderohet tkurrje e buxheteve vendore nga Ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai iu është përgjigjur akuzave të bashkive dhe komunave lidhur me këtë vendim të qeverisë. Kryefinancieri Bode, ka deklaruar se të ardhurat që pushteti qendror të mbledhë nga këto biznese do t’i përdorë si mbështetje për vendorët. “Nuk do të ketë asnjë ndikim në buxhetin vendor. Do të ketë një ndikim shumë pozitiv në klimën e biznesit, në fuqizimin e konkurrencës dhe vendosjen e një drejtësie të të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitete ekonomike përballë ligjit. Bashkive dhe komunave nuk do tu preken të ardhurat, pasi të ardhurat që vijë nga biznesi i vogël konsiderohen si të ardhura të Bashkive dhe nuk do të jenë pjesë e buxhetit qendror”- u shpreh ministri Bode. Ministri i Financave ka akuzuar gjithashtu pushtetin vendor për keqpërdorim të fondeve. Sipas tij, paratë që qeveria ka dhënë gjatë katër viteve të fundit për bashkitë dhe komunat kanë ardhur në rritje, ndërkohë që pushteti vendor i ka shpenzuar për paga dhe shpenzime operative, në vend që të kryente investime publike. “Kemi një rritje prej 12 miliardë lekësh të dhëna për vendoret, që janë përdorur për paga dhe për shpenzime operative të bashkive”,- u shpreh Bode. Në buxhetin e vitit 2010 grantet për pushtetin vendor janë parashikuar 21.1 miliardë lekë, me një rritje fare të vogël krahasuar me një vit më parë, ndërsa fondet e pakushtëzuara janë ulur me 12 për qind ose 1.6 miliardë lekë.
Realizimi në 2009-n
Ekspertë të Ministrisë së Financave analizojnë se të ardhurat e mbledhura nga taksat vendore për periudhën arritën në 9.5 miliardë lekë nga 14 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar vetëm 67.91 për qind të planit. Në krahasim me një vit më parë kjo shifër është rreth 1.1 miliardë më shumë, kur ky tregues ishte 8.4 miliardë lekë të mbledhura. Taksa vendore mbi biznesin e vogël ka mbledhur 1.9 miliardë lekë, pothuajse të njëjtin nivel të ardhurash me një viti më parë, nga tatimet mbi pasurinë (ndërtesa dhe tokë bujqësore) janë mbledhur vetëm 1.3 miliardë lekë, me një rënie krahasuar me një vit më parë prej rreth 5.7 për qind. Nga taksat e tjera lokale janë mbledhur për periudhën 6.4 miliardë lekë, nga 8.4 miliardë të parashikuara, por me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, prej 24.8 për qind. “Në këtë grup, taksa më e rëndësishme është ajo e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila këtë vit janë mbledhur rreth 2.5 miliardë lekë krahasuar me 1.3 miliardë lekë të së njëjtës periudhë të 2008-s, me një rritje prej 92.3 për qind”, - theksohet në analizë. Rritje të konsiderueshme, sipas ekspertëve, kanë pasur dhe të ardhurat nga taksa e reklamave me 98.8 për qind dhe nga taksa e tabelës me 43.3 për qind kundrejt 2008.
5 Dhjetor 2009