Bizneset, deklaratë të përbashkët kundër presionit politik: “Po na falimenton”
Ndërtuesit vendosin si afat për zgjidhjen e problemeve me qeverinë datën 15 janar 2010. Bizneset paralajmërojnë grevë masive dhe refuzim të pagesës së taksave për shtetin
Ervin KOÇI
Presionet e kohëve të fundit të qeverisë ndaj grupeve të ndryshme të biznesit kanë bashkuar sipërmarrjen shqiptare në një qëndrim të vetëm. Janë 3 grupimet më të mëdha të biznesit në vend, Shoqata e Ndërtuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve që kanë unifikuar dje qëndrimin pas sulmeve të fundit që qeveria ka ndërmarrë ndaj disa prej sipërmarrësve privatë. Ata i bëjnë thirrje politikës të gjejë konsensus për të zgjidhur problemet ekonomike që shqetësojnë biznesin. Sipas tyre, klima e acaruar politike ka dhënë efekt te biznesi vendas dhe ai i huaj, duke krijuar një situatë pasigurie jo vetëm për investime, por duke pezulluar edhe aktivitetin normal ekonomik. “I kërkojmë qeverisë që t lërë debatet vetëm një muaj përpara zgjedhjeve dhe të fokusohet te problemet reale”, - shprehet Avenir Kika, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve Tiranë. Në të njëjtën linjë është edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, kur tha se biznesi nuk duhet të jetë viktimë e politikës. Sipas tij, ai duhet konsideruar si një aset kombëtar. Ndërsa Flamur Hoxha, kryetar i Dhomës së Prodhuesve, thotë se kjo shoqatë po lobon për interes të komunitetit që përfaqëson dhe shpreson se situata do të ndryshojë gjatë vitit të ardhshëm.
Kërkesat e ndërtuesve
Shoqata e Ndërtuesve, nga ana e saj, ka hartuar planin e veprimit duke vendosur afat për zgjidhje datën 15 janar 2010. Në rast se nuk ndryshon asnjë situatë, atëherë ndërtuesit paralajmërojnë me nisjen e grevës që konsiston në mospagim takash dhe pezullim të punimeve. Duke marrë shkas edhe nga klima e ndezur politike në vend, ndërtuesit kërkojnë një takim me kreun e qeverisë, Sali Berisha, dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Problemet kryesore vazhdojnë të mbeten niveli i taksave, referencat në çmime e paga, si dhe mosfunksionimi i KRRT-së. "Shlyerja e detyrimit për punën e bërë në disa projekte publike është një problem që na shqetëson. Situata financiare e shoqërive të ndërtimit vijon të jetë e rënduar, pavarësisht se qeveria ka nisur të shlyejë disa pagesa", - deklaroi dje shoqata. "Të gjendet rruga për uljen e tensionit politik në vend, pasi kjo ndikon direkt në ekonomi, pra edhe në biznesin e ndërtimit; të kërkohet takim me kryeministrin, si edhe me ministrat, gjithashtu edhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë për funksionimin e KRRT-së", - ishin tri nga kërkesat e ndërtuesve. Sipas tyre, Shoqata do të insistojë që këto takime të realizohen brenda 15 janarit 2010 dhe rezultatet e saj do t’ia raportojë aktivit, në të cilin do të gjykohet mbi masat dhe përshkallëzimin e reagimit në funksion të rezultatit. Raporti mes qeverisë dhe ndërtuesve nuk paraqitet bashkëpunues prej më shumë se një viti. Situata është rënduar shumë në muajt e fundit, kur ndërtuesit deklaruan hapur se qeveria u ka borxh rreth 70 milionë euro për punët e kryera në projekte të ndryshme publike, kryesisht rrugore. Tjetër problem për ndërtuesit është mungesa e lejeve të ndërtimit, si edhe disa vendime të qeverisë për referencat në çmime të lëndës së parë, shitje, si edhe në paga.
Gjykata Administrative
Nisur edhe nga ndryshimet e fundit ligjore, ku qeveria ka ashpërsuar masat ndëshkuese ndaj sipërmarrjes private, duke rritur ndjeshëm gjobat, biznesi sërish i kërkon politikës konsensus për të miratuar Gjykatën Administrative, e cila do t’u japë fund konflikteve mes administratës dhe sipërmarrjes private. Ndryshimi i ligjit të procedurave tatimore, i cili pritet të marrë miratimin e Parlamentit, parashikon sekuestrim edhe të kompjuterit të kompanisë, në rast se tatimorët mendojnë se subjekti fsheh të dhënat. Njëkohësisht janë shumëfishuar gjobat për bizneset që nuk sigurojnë punonjësit e tyre.
24 Dhjetor 2009