E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankandi i bonove, qeveria përballet me mungesë oferte

Borxhet e kërkuara dje nga Ministria e Financave prej 2 miliardë lekësh me afat maturimi tremujor nuk u blenë tërësisht nga bankat e nivelit të dytë. Në ankandin e zhvilluar dje në Bankën e Shqipërisë u paraqitën pesë oferta me vlerë të përgjithshme prej 1.3 miliardë lekësh. Të gjitha ofertat u pranuan, ndërsa interesi mesatar i ponderuar qe 6.3 për qind. Interesi mesatar nuk ndryshoi në krahasim me ankandin paraardhës të zhvilluar më 2 dhjetor. Emetimi i bonove tremujore dje nuk qe i programuar në planin mujor të emetimeve që publikohet nga Ministria e Financave. Qeveria ka në plan të emetojë edhe 17.6 miliardë lekë borxhe në 31 dhjetor, nga të cilat 13.2 miliardë do të jenë bono tremujore që do të blihen në maxhorancë nga Banka e Shqipërisë.

Verifikimi i koncesioneve, METE përpilon dosjen më të dhënat

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bën të ditur se ka përfunduar mbledhja e materialeve për verifikimin e koncesioneve në energjetikë dhe miniera. Aktualisht janë grumbulluar të dhënat e nevojshme dhe brenda muajit dhjetor do të përgatitet një raport i detajuar mbi situatën e projekteve. Nisma u mor nga ministri Prifti, i cili sapo u emërua deklaroi rishikimin e kontratave të dhëna gjatë viteve të fundit. Ministria nuk jep detaje rreth shkeljeve të konstatuara por garanton ndjekjen e linjës pro biznes. Pjesa më e madhe e koncesioneve të dhëna janë me ortakëri private të huaj dhe kryesisht në fushën energjetike. Në tre vitet e fundit ka pasur probleme kryesisht në fushën e minierave, sidomos për kushtet e sigurisë, kurse në energjetike, disa kompani të huaja nuk i janë përmbushur detyrimit për investime.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›