Pallati i Ilir Matës, sot Gjykata jep vendimin
Gjykata e Tiranës pritet të japë ditën e sotme vendimin përfundimtar lidhur me fatin e pallatit të ndodhur në qendër të Tiranës, në pronësi të Ilir Matës. Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesit e Inspektoratit të Ndërtimit kanë paraqitur provat e tyre lidhur me arsyet se pse ky pallat duhet të shembet. Pas tri seancash të dështuara, për shkak të mosparaqitjes së përfaqësuesve të Inspektoratit ose mosnjohjes së tyre me dosjen, këtë herë ata janë paraqitur përpara gjyqtares Arjana Caco, ku kanë parashtruar versionin e tyre. Shkak i nisjes së këtij procesi gjyqësor është bërë vendimi i këtij Inspektorati për prishjen e një pallati shumëkatësh që ndodhet në qendër të Tiranës, pasi sipas tyre, ai është ndërtuar në mënyrë të parregullt duke u ngritur mbi rrugë. Mbrëmjen e 7 dhjetorit, fadromat e Inspektoratit të Ndërtimit prishën fasadën e tri kateve të këtij pallati dhe deklaruan se do ta shembnin tërësisht atë. Ky veprim u quajt politik nga vetë pronari dhe përfaqësues të shumtë të opozitës, për faktin se Ilir Mata është kunati i deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Menjëherë pas nisjes së shembjes së këtij objekti, Mata depozitoi në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për pezullimin e këtij vendimi si të padrejtë. Për dy seanca me radhë Gjykata ka marrë në administrim provat e paraqitura nga ana e Ilir Matës dhe avokatit të tij, ish-prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi dhe ditën e djeshme ka dëgjuar pretendimet e palës së paditur. Pritet që ditën e sotme Gjykata të japë vendimin përfundimtar lidhur me prishjen ose jo të pallatit në pronësi të kunatit të Dashamir Pezës.
24 Dhjetor 2009