Rama, letër Topallit: “Mos e miratoni draftin për inspektimin e ndërtimeve, është antikushtetues”
Kryesocialisti argumenton antikushtetutshmërinë e projektligjit të qeverisë. “Kushtetuesja, me vendim të formës së prerë, është shprehur kundër projektit”
Eljona Ballhysa
Kryesocialisti Edi Rama i ka dërguar një letër dje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për dijeni dhe Këshillit të Ministrave, në të cilën kërkon mosfutjen për miratim të projektligjit të fundit të qeverisë për inspektimin e ndërtimeve. Në një letër të gjatë prej 5 faqesh, kreu i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës ka argumentuar se drafti i ri i qeverisë është antikushtetues, shkel parimin e autonomisë vendore, shkel Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe ligjin organik “Për Organizimin e Pushtetit Vendor”. Rama gjithashtu i referohet dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për konfliktin mes pushtetit qendror dhe atij vendor në rastin e përdorimit të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit për prishjen e nënkalimit të Zogut të Zi. Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të pushtetit vendor, dhe ky vendim është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga qeveria dhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Argumentet
“Referuar projektligjit për inspektimin e ndërtimit dua t’ju vë në alarm për antikushtetutshmërinë e këtij dokumenti, papajtueshmërinë e tij me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe mospërputhjen flagrante me frymën e me përmbajtjen e Ligjit Organik të Pushtetit Vendor”, - shkruan Rama në krye të letrës që i ka dërguar dje kryetares së Kuvendit, Topalli. Më tej ai thekson se ky projektligj prezanton dispozita, të cilat vijnë në kundërshtim të hapur jo vetëm me parimet kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe me vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Europës, duke sjellë regres të dukshëm në ecurinë e reformës së decentralizimit dhe duke cenuar parimin e autonomisë vendore. Sipas Ramës, projektligji shkel Nenin 13 të Kushtetutës së Shqipërisë, në të cilin parashikohet që qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. “Sipas interpretimit specifik të Gjykatës Kushtetuese theksojmë se është përcaktuar përfundimisht më parë nga ky organ që kompetenca e kontrollit mbi territorin është kompetencë plotësisht vendore. Duke i dhënë Policisë Ndërtimore kompetenca për të ndërhyrë pa vendim gjyqësor në veprimtarinë e autoriteteve vendore në fushën e veprave të ndërtimit dhe planifikimit urban, dispozitat ligjore të projektit të qeverisë tejkalojnë standardet kushtetuese dhe normat ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se ligjvënësi, nëpërmjet rregullimeve ligjore, duhet ta orientojë Policinë Ndërtimore drejt organi shtetëror të pavarur nga pushteti qendror që duhet të ketë si detyrë kryesore kontrollin e zbatimit të standardeve teknike mbi territorin, nën autoritetin e qeverisjes vendore. Duke i dhënë Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit atribute vendore e duke krijuar premisa të hapura për konflikt interesi dhe pasiguri të qytetarëve në zbatimin e normës juridike, ky projekt është jo vetëm antikushtues e antidemokratik në frymë, por edhe kërcënim i hapur për “ligjërimin” e arbitraritetit e abuzimit të pushtetit për qëllime mirëfilli jokushtetuese e joligjore”, - shkruan më tej Rama. Ai sjell në vëmendje konfliktin e kompetencave mes qeverisë dhe pushtetit vendor për prishjen e nënkalimit të Zogut të Zi. Sipas Ramës, të gjitha gjykatat në Shqipëri e gjykuan atë çështje në favor të pushtetit vendor duke e konsideruar në kundërshtim me ligjin aktet e ndërmarra nga pushteti qendror. Madje këtë konflikt kompetencash për çështjen e kontrollit mbi territorin dhe inspektoratet e ndërtimit e gjykoi Gjykata Kushtetuese, e cila, me një vendim përfundimtar të formës së prerë dhe të detyrueshëm për zbatim për të gjitha organet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe qeverinë e Kuvendin e Shqipërisë, vendosin qartësisht se kontrolli mbi territorin është çështje vendore. Sipas Ramës, projektligji i ri i qeverisë po synon ta kthejë vendin në të njëjtën situatë konfliktuale si tre vjet më parë. Kryetari i Bashkisë së Tiranë thekson se projektligji i qeverisë bie në kundërshtim me Nenin 4 të Kushtetutës dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Sipas Ramës, projektligji i qeverisë shkel parimin e sigurisë juridike, sepse norma ligjore mund të zbatohet në të njëjtën kohë në mënyrë kontradiktore nga dy organe: edhe nga Inspektorati vendor, edhe nga ai qendror. Më tej Rama thekson se projektligji cenon parimin e ndarjes së pushteteve. Sipas tij, projektligji krijon kapërcime të kompetencave të pushtetit gjyqësor në favor të atij ekzekutiv. Ai parashikon të drejta të ekzekutimit të vendimeve pa marrë parasysh procesin e rregullt ligjor gjyqësor.
Projektligji i ri synon zgjerimin e kompetencave të qeverisë
Vetëm pak ditë më parë është depozituar pranë Kryesisë së Kuvendit projektligji që sjell disa ndryshime në ligjin për inspektimin e ndërtimit. Ky projekt i qeverisë synon zgjerimin e kompetencave të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Ky organ ekzekutiv ka të drejtën e ushtrimit të kompetencave në territore që janë në përgjegjësinë e pushtetit vendor. “Zgjerimi i përgjegjësive të Inspektoratit Kombëtar përbën një instrument ligjor që i shërben kryesisht zhvillimit të territoreve në rastet kur organet e qeverisjes vendore nuk ushtrojnë kontroll për shkak të mungesës së kapaciteteve të tyre, ose megjithëse administrojnë kapacitete duke qenë se ndodhet brenda një komuniteti apo grupi interesi, japin vendime për prishje që në realitet nuk i zbatojnë kurrë”, - shkruhet në draftin e qeverisë që pritet të merret së shpejti në shqyrtim nga komisionet parlamentare. Më tej sqarohet se dhënia e kësaj përgjegjësie Inspektoratit Kombëtar është një e drejtë që ky organ duhet ta ushtrojë në mënyrë që në vend të rikthehet ligjshmëria. Projekti synon që Inspektorati të ndërhyjë me vendim për prishjen e objekteve në ato raste kur objekti është i kundërligjshëm sipas një procedure të përcaktuar qartë dhe që nuk lë vend për dyshime. Në ato raste kur pushteti vendor ka ushtruar përgjegjësinë e tij për prishjen e objekteve të paligjshme, nuk ka të drejtë të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar. Kështu, për të shmangur kontrollet e dyfishta është parashikuar në këtë draft që Inspektorati Kombëtar të ndërhyjë në territore për prishje ndërtimesh të kundërligjshme vetëm pasi të jenë siguruar tri kushtet: e para, kur inspektorati vendor nuk ka bërë kontroll dhe nuk ka një vendim për ndërtimin e paligjshëm; e dyta, kur vendimi i inspektoratit vendor për prishjen e ndërtimit të paligjshëm nuk është zbatuar; së treti, kur subjektet qendrore që gëzojnë të drejta të ligjshme për pronën publike ose shtetërore, të zëna nga ndërtime të kundërligjshme, kërkojnë rikthimin e ligjshmërisë. “Plotësimi i këtyre kushteve siguron që kontrolli mbi territorin po ushtrohet për shkak se organet e qeverisjes vendore, me gjithë detyrimin që kanë për të kontrolluar territorin dhe për ta menaxhuar atë, nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë ose kanë qenë në pamundësi për të përmbushur vullnetin e tyre deri në fund, në rastet e mosekzekutimit të vendimeve për prishje të objekteve të paligjshme”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet projektit. Në këtë projektligj është shtuar dhe një nen tjetër që i jep të drejtën Inspektoratit Kombëtar që të ushtrojë kontroll periodik të territore që cilësohen si pronë publike, ku përfshihen zonat bregdetare, liqenore, lagunat, liqenet, vija bregdetare, ujërat territoriale, shtretërit e lumenjve etj. Në bazë të përvojave të mëparshme që lidhen me koncesione ndërkombëtare për ndërtim portesh të hapura si në Porto Romano apo edhe në Vlora 1, është parë i domosdoshëm inspektimi periodik i detyrueshëm në mënyrë që ndërtime të ndryshme të mos sjellin katastrofa mjedisore.
24 Dhjetor 2009