E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset diskutojnë mënyra të reja të përballimit të krizës

13/03/2009  Uldedaj: Të liberalizohet tregu me Malin e Zi

Liberalizimi i plotë i shkëmbimeve tregtare. Pas hapjes së kufijve doganorë me Maqedoninë, bizneset kërkojnë liberalizimin e shkëmbimeve tregtare edhe me Malin e Zi. Kjo ka qenë tema kryesore e diskutimeve gjatë një takimi që kreu i Dhomës së Tregtisë në Tiranë zhvilloi me kreun e dhomës ekonomike të Malit të Zi. Ky hap është ndërmarrë zyrtarisht me Kosovën dhe Maqedoninë. Kjo mënyrë është vlerësuar si një mundësi më shumë në masat që po merren për minimizimin e efekteve të krizës ndërkombëtare. “Ajo që është realizuar me Maqedoninë dhe me Kosovën do të ishte shumë mirë të bëhej dhe me Malin e Zi për një liberalizim të tregtisë së mallrave. Liberalizimi i plotë i tregtisë së mallrave, i vizave, do të bëjë që kufiri midis Shqipërisë dhe Malit të Zi të jetë një kufi virtual”, - tha Gjokë Uldedaj, kryetar i DHTI, Tiranë. "Ne vlerësojmë njëlloj si ju se edhe pse kemi kapacitete, shkëmbimet tona tregtare janë të ulëta. Ndaj liberalizimi i plotë tregtar që duhet të mbështetet edhe nga investime në infrastrukturë pritet të sjellë ndryshime cilësore në marrëdhëniet tona ekonomike”, - u shpreh Vladimir Mijuskovic, kryetar i Dhomës Ekonomike të Malit të Zi. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Uldedaj tha se Shqipëria dhe Mali i Zi janë përfshirë prej kohësh në rrugën e reformave dhe të integrimit euro-atlantik. Shqipëria është sot një nga ekonomitë më me perspektivë të rajonit tonë, si për shkak të pozicionit kyç gjeografik, ashtu edhe për vetë klimën tepër inkurajuese që është krijuar për bizneset. Ai vlerësoi reformat ekonomike të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, duke veçuar dy prej tyre: “Reforma Rregullatore” dhe “Reforma Fiskale”. Sipas tij, këto reforma e kanë përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit në vend dhe e kanë renditur Shqipërinë në vendet standardet më të larta, sidomos për sa i takon klimës së biznesit, lirisë së tregut, zhvillimit të investimeve. Impaktet e krizës globale kanë filluar të ndjehen edhe në vendet tona. “Në këtë situatë, ne duhet të gjejmë zgjidhjet më të mira për të mbështetur njëri-tjetrin dhe ekonomitë e brishta të vendeve tona. Ne duhet të identifikojmë rrugët për përmirësimin e shkëmbimeve dypalëshe, edhe në këto kushte kur duhet impenjim maksimal dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve”, - tha Uldedaj. Në takim është folur edhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe bashkëpunimin institucional.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›