E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e konsumatorët, tani besim më të ulët te bankat

Autori i Lajmit: red.
Kriza botërore që ka nisur të shfaqë efektet e saj edhe në Shqipëri, dhe mesa duket ka ulur besimin e bizneseve dhe konsumatorëve në ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë ka publikuar për herë të parë vrojtimet e biznesit dhe konsumatorit nga ku ka rezultuar se gjatë tre mujorit të fundit të vitit 2008 besimi i sektorëve të shërbimeve, industrisë si dhe ai i konsumatorëve ka pësuar rënie. Gjendja e përgjithshme e sipërmarrjes private dhe ecuria e ekonomisë ne vend janë gjykuar në rënie nga bizneset e industrisë. Faktorët që kanë ndikuar janë kryesisht përkeqësimi i situatës në punësim, problemet që lidhen me praninë e ekonomisë informate dhe ato me energjinë elektrike. Ndërsa besimi i sektorit të shërbimeve ka pësuar një rënie prej 7 pikësh gjatë tremujorit të fundit të 2008-ës, ndikuar kryesisht nga ecuria e përgjithshme ekonomike, situata në punësim dhe situata financiare. Rënie e besimit vërehet edhe tek konsumatorët për situatën e tyre financiare dhe ekonomike si dhe vlerësim negativ për blerjen në shuma të mëdha apo për kursime. Konsumatorët shohin me shqetësim edhe nivelin e papunësisë dhe sipas tyre ky fenomen do të rritet gjatë pjesës së parë të këtij viti. Në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se, “vendimi për publikimin e këtyre treguesve kaloi përmes një procesi të matur dhe u maturua, pasi ekspertët dhe vendimmarrësit e Bankës së Shqipërisë krijuan bindjen se treguesit e besimit krahas treguesve të tjerë, jepnin informacione të vlefshme shtesë në lidhje me zhvillimet më të fundit dhe të së ardhmes të sektorit realë të ekonomisë shqiptare”.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›