Labirinte shqiptare, gjysma komb – tjetra pakicë?
Autori i Lajmit: red.
“Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve” dhe “Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike, me vështrim rasti i Kosovës”, të akademikut Esat Stavileci, u promovuan dje në ambientet e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë, nga forumi “Imazh dhe Media”, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. “Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike, me vështrim rasti i Kosovës" u vlerësua nga Dr. i Shkencave, Albert Rakipi, si “një libër teorik për shtetin dhe për të parën herë lexuesi merr në dorë një kontribut shqiptar”. Në këtë libër trajtohet si ka lindur shteti, këndvështrime historike mbi shtetin dhe raportet e tij me demokracinë si dhe proçesi i shtetformimit si një proçes në vazhdim në Kosovë. Rakipi tha gjithashtu se “vlera e këtij libri qëndron tek fakti i proçesit të ndërtimit të shtetit, i cili mbetet ende një sfidë e pa fituar plotësisht”.
"Si ka mundësi të ndodhë që pas një ndarjeje gjeo-politike të një shteti, njëra gjysmë e tij të quhet komb dhe tjetra pakicë kombëtare"? Kjo është pyetja që shtron Esat Stavileci në librin e tij “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”. Ky libër u vlerësua nga Pajazit Nushi si “një vepër dëshmish për Kosovën para gjykatës dhe drejtësisë”. Nushi tha se "32 libra të botuar brenda 40 vjetësh, janë një nga treguesit më të rëndësishëm të veprimtarisë intelektuale dhe krijuese të Stavilecit. Në të është trajtuar çështja e Kosovës dhe e pavarësisë së saj në aspektin historik, politik dhe juridik ndërkombëtar”. Akademiku Esat Stavileci tha për të pranishmit se Pavarësia e Kosovës nuk mund të festohet pa përmendur dhe vështirësitë që janë hasur, pasi udha ku është ecur nuk ka qenë e shtruar me lule. Ai theksoi se “për të bërë bilancet e një viti duhet të kemi parasysh se prej kohës së pranisë të ndërkombëtarëve në Kosovë, Kosova kaloi nëpër disa faza. Faza e parë, është ajo e intervenimit dhe vendosjes së saj në “shok-dhomë”. Faza e dytë, është ajo e kurimit intensiv të saj. Dhe e treta, është faza ku fillon gradualisht aktiviteti i saj vetiak". Pa hequr dorë nga kjo simbolikë Stavileci theksoi se "Kosova sërish ka nevojë për mjekët derisa shqiptarët të bëhen një”.
Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, siç thotë Prof. Stavileci, "duhet të bëhen një trup i vetëm, pasi ata janë të bashkuar nëpërmjet tre “Gj”, gjakut, gjuhës dhe gjeografisë".
Jetëshkrimi
Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesme. U diplomua në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 2 korrik 1965. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa studimet e së drejtës së krahasuar në Fakultetin ndërkombëtar të Strasburgut në Francë, ku mori Diplomën e studimeve të larta të së drejtës së krahasuar, pasi kishte ndjekur katër semestra universitare në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Francë, Itali, Holandë dhe në Venezuelë. Mbrojti me sukses doktoraturën në shkenca juridike në Fakultetin juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Esat Stavileci ka ushtruar funksione të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, brenda dhe jashtë fakultetit. Ishte prodekan i Fakultetit Juridik, drejtor i Entit për Hulumtime juridike, kryeredaktor i revistës shkencore "Përparimi" , kryeredaktor i revistës "E drejta-Pravo", drejtor i studimeve pasuniversitare, shef i Katedrës së shkencave juridiko-politike, ndër themeluesit e "Vjetarit" të Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, dhe të revistës së parë juridike në gjuhën angleze në Kosovë. Është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit të Kosovës për vitin 1978. Profesor ordinar është që nga viti 1979. Është anëtar-korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ka botuar shumë artikuj, monografi e studime. Merret me probleme të terminologjisë juridike. Ndër to mund të përmenden disa botime si “Kosova”, “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, “Përgjegjësia politike e titullarëve publikë dhe vetëqeverisjes”, “Theksime nga 1000 prononcime”, etj.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2009