Bizneset e tenderëve miliardësh

Punime në rrugë / Foto arkiv
Emirjon Senja
Investimet publike që kryen nga qeveria, realizohen nëpërmjet kompanive private, të cilat normalisht duhet tu nënshtrohen procedurave të prokurimit publik.
Nisur edhe nga investimet që ka bërë ekzekutivi në drejtim të kryerjes së prokurimeve publike nga faqja e internetit është e mundur edhe kontrolli i procedurave nga çdokush. Një lehtësi e tillë na ka bërë të mundur që të bëjmë një klasifikim më të drejtë të kompanive që kanë përfituar më shumë nga fondet publike gjatë vitit të fundit. Për të bërë këtë klasifikim, kemi marrë parasysh 20 tenderët më të mëdhenj që janë zhvilluar nga Agjencia e Prokurimeve Publike përgjatë një periudhe një vjeçare duke nxjerrë edhe përfundime surprizë, siç është fitimi i pjesës dërrmuese të tenderëve për karburantet nga një kompani e caktuar, ulja minimale e çmimit kur në garë kanë qenë kompani të caktuara, ndryshimi i rregullave të tenderit për të favorizuar një subjekt të caktuar, etj.
Por cilët janë tenderët më të mëdhenj të zhvilluara gjatë këtij viti, cilat kompani i kanë fituar ato dhe sa tenderë kanë fituar secila prej tyre? Tenderi më i madh i kryer përgjatë një viti, është ai i rrugës së Arbrit, pikërisht në segmentin Ura e Brarit-Hyrje e Tunelit në Qafë Murriz. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve e ka shpallur këtë tender me një vlerë limit prej rreth 1 miliardë e 945 milionë lekë. Tenderin sipas APP-së e fitoi në prill të vitit të shkuar, kompania Gener 2, e cila ka marrë përsipër të kryejë punimet me një shumë prej 1 miliardë e 944 milionë lekë. Gener 2 ka marrë një tjetër tender të një vlerë të përafërt me atë të rrugës së Arbrit, rreth një vit e gjysmë më parë. Kompania në fjalë ka fituar edhe tenderin e ndërtimit të Qendrës së Kontrollit Ajror me vlerë 1 miliardë e 223 milionë lekë në vitin 2010. Ndërtimi i godinës përfundoi vetëm pak muaj më parë.
Tenderi i dytë për nga vlera i zhvilluar gjatë vitit të shkuar, është ai i segmentit Librazhd-Qafë Studë, loti i III-të. Projekti është tenderuar me një vlerë limit prej rreth 1 miliardë e 894 milionë lekë. Fituese është shpallur kompania Victoria Invest, e cila ka marrë përsipër të ndërtimin me një kosto prej 1 miliardë e 893 milionë lekë. Kompania fituese, me pronar Fatmir Kuçin, ka qendrën në Suharekë të Kosovës.
Tenderi i tretë për nga vlera, është ai për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë limit prej 1 miliardë e 885 milionë lekë. Fitues e tenderit, e cila ka dorëzuar tashmë edhe mallin, është kompania Gjergjefi, e cila mori përsipër të mbyllë kontratën me një vlerë prej 1 miliardë e 814 milionë lekë. Tenderi në fjalë u shoqërua me akuza në media nëpërmjet publikimit të dokumenteve të ndryshme për abuzime dhe cilësi të dobët të uniformave të dorëzuara.
Tenderë të tjerë të mëdhenj janë ai për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Qafë Thanë – Lin-Pogradec, me vlerë 1.6 miliardë lekë, shërbim-gatimi i ushqimeve për repartet ushtarake me vlerë rreth 800 milionë lekë, e ndarë në dy lote, të dyja të fituara nga kompania Sori-Al, etj.
Cilat janë kompanitë që kanë punuar më shumë me fondet publike
Bërja e një klasifikimi të tenderëve nga më i madh deri tek më i vogli krijon edhe panoramën e shpërndarjes së fondeve publike tek kompanitë private. Kompania Gener 2 ka fituar dy nga 10 tenderët më të mëdhenj të zhvilluar nga Agjencia e Prokurimeve Publike gjatë vitit të shkuar. I pari dhe më kryesori është i ndërtimit të një pjesë të rëndësishme të rrugës së Arbrit me vlerë rreth 1.95 miliardë lekë. Ky është edhe tenderi më i madh i zhvilluar gjatë vitit të shkuar. Krahas kësaj, e njëjta kompani ka marrë edhe një tjetër tender të ngjashëm me vlerë 1.2 miliardë lekë. Tashmë nuk bëhet fjalë më për ndërtim rrugësh por për ndërtim godinash. Bëhet fjalë për Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Rinas, e cila është prokuruar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit të Telekomunikacionit. Në emër të po kësaj kompanie rezulton edhe një tender tjetër i fituar gjatë vitit të shkuar, me vlerë 11 milionë lekë, i cili ka të bëjë ndërtimin e një kabine elektrike. Në total, kompania Gener 2 ka qarkulluar rreth 4.1 miliardë lekë fonde publike gjatë një viti.
Viktoria Invest, kompania që ka fituar tenderin e dytë për nga vlera gjatë vitit të shkuar, atë të ndërtimit të rrugës Librazhd-Qafë Studë, me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë është gjithashtu fituese edhe e tenderit për pastrimin e një pjesë të kryeqytetit. Të dhënat nga Agjencia e Prokurimeve Publike nxjerrin se kompania në fjalë ka fituar edhe tenderin për pastrimin e pjesës lindore të Tiranës për vitin 2011, me vlerë 166 milionë lekë. Në total, kompania kosovare ka qarkulluar gjatë 2011 rreth 2.1 miliardë lekë para nga fondet publike.
Kompania Arifaj, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e bajpasit të Shkodrës me vlerë 1.2 miliardë lekë figuron ndërkohë edhe fituese e dy tenderëve të tjerë në 2011. I pari ka një vlerë rreth 28 milionë lekë dhe ka të bëjë me sistemimin dhe asfaltimin e bllokut Mine Peza në kryeqytet, kurse tenderi tjetër me vlerë rreth 20 milionë lekë lidhet përsëri me punime në Tiranë. Kësaj radhe bëhet fjalë për vijëzimin e rrugëve të Tiranës. Në total, shuma e fondeve publike të qarkulluara nga kompania në fjalë është rreth 1.25 miliardë lekë.
Kompania Skënderi G, e cila figuron si fituesja kryesore e tenderit për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore gjatë vitit të shkuar, është njëkohësisht një ndër furnizuesit më të madhej të këtij produkti për një serë institucionesh të tjera. Pjesa që ka fituar kompania në fjalë për të furnizuar ministritë mbart një vlerë prej rreth 1 miliardë lekë, ndërsa në emër të saj janë edhe shumë kontrata të tjera me vlera më të vogla.
Hileja me kriteret e tenderëve, si mbahet çmimi i lartë
Qëllimi i zhvillimit të tenderëve është dhënia e mundësisë për të fituar të gjithë operatorëve ekonomike por edhe ulja e kostos së realizimit të një projekt nga konkurrenca midis kompanive. Por këto funksionojnë në një treg me rregulla të qarta kur në lojë nuk hyjnë korrupsioni apo favorizimet. Faktorë të tillë bëjnë që shpenzimet e buxhetit të shtetit të jetë më të mëdha për realizimin e një projekti si edhe përzgjedhja e fituesit të jetë e paracaktuar.
Agjencia e Prokurimeve Publike raporton se për vitin 2011, nga të gjithë procedurat e prokuruara është arritur të kursehen mesatarisht 20 për qind e fondit limit. Kështu përshembull, nga rreth 64 miliardë lekë të prokuruara, janë kursyer rreth 13 miliardë lekë. Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të konkurrencës së madhe midis kompanive. Por kjo duket se vlen vetëm për tenderët e mesëm dhe të vegjël pasi kur bëhet fjalë për tenderët e mëdhenj, kompanitë tregohen disi më të zgjuara duke gjetur forma të ndryshme përfitimi, të cilat njihen rëndom.
Kështu përshembull, tenderi më i madh i zhvilluar gjatë vitit të shkuar, ai për segmentin Ura e Brarit-Tuneli i Qafë Murrizit në rrugën e Arbrit, unisme një vlerë limit prej 1 miliardë e 945 milionë lekë. Pas zhvillimit të tenderit, fituesi u shpall me një vlerë rreth 1 miliardë e 944 milionë lekë me një ulje prej vetëm 900 mijë lekësh! Asokohe në shtyp qarkulluan akuza për abuzime me këtë tendër, nisur edhe nga shuma minimale e uljes së përfituar.
E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe në ndërtimin e rrugës Librazhd-Qafë Studë. Tenderi u shpall me vlerën limit 1 miliardë e 894 milionë e 400 mijë lekë. Fituesi u