Bizneset e vogla: Gjobat për kasat preferenciale
Bizneset e vogla kanë evidentuar se gjobat e majme të tatimeve, prej 100 000 lekësh, kanë qenë preferenciale. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, në rrugën ‘Arkitek Kasemi’ tek Brryli, është vënë re se jo të gjithë bizneset janë të pajisur me kasa fiskale. Madje, si pasojë e gjobitjes, disa prej këtyre bizneseve kanë shpallur falimentin.
“Jap me qira fustane nusesh dhe shes veshje. Gjatë muajit dhjetor nuk kam bërë asnjë xhiro. Puna ra tejmase. Nuk mund të shpenzoja 60 000 lekë për të blerë pajisjen fiskale, pa qenë e sigurt se do të më rimbursohej shuma. Pas Vitit të Ri, kur hyj në dyqan shoh zarfin me gjobën 100 000 lekë. Sot, im shoq ka shkuar të bëjë dokumentet, për ta shpallur biznesin të falimentuar, ndërsa unë do të punoj edhe disa ditë, të paktën të bëj lekët për të paguar tatimet” - u shpreh një tregtare. Ndërsa një shitëse e një dyqani tjetër veshjesh, në të njëjtën rrugë, u shpreh se vetëm dje ka nisur procedurat për blerjen e kasës fiskale dhe se nuk është gjobitur. “Shteti duhet të na paguajë ne që hapim librari, jo të shpenzojmë 60 000 lekë për kasën fiskale, në një mjedis kaq të vogël. Gjobat këtu janë vendosur sipas preferencave. Ndërkohë që punonjësit e tatimeve, më qëndronin si xhandar tek dera për të vendosur kasën, tek lokali ku qëndruan gjithë ditën duke pirë dhe ku nuk kishte kasë, nuk vendosën gjobë”, - u shpreh një librashitës. Në të njëjtën kohë, shqetësimet e biznesit të vogël janë edhe në lidhje me korrektësinë e pajisjes me të gjithë aksesorët që përmbahen në çmim. Një prej tregtarëve u shpreh se duke paguar 60 000 lekë kompanisë ku bleu pajisjen fiskale, nuk kishte marrë letrën për të printuar dhe u detyrua ta blinte atë veçmas me 800 lekë. Përgjatë rrugës “Arkitekt Kasemi” vihej re se me kasa fiskale ishin të pajisura bizneset që merreshin me elektroshtëpiake, kancelari dhe kompjuterë. Burime nga tatimet kanë bërë me dije se vetëm 27 % e bizneseve kanë instaluar kasat fiskale, ndërkohë që afati ligjor për vendosjen e tyre ka përfunduar më 31 dhjetor. Nga rreth 80 mijë subjekte në shkallë vendi, vetëm 21 600 prej tyre janë pajisur me kasa.
Ndërsa shoqëritë po lidhin rreth 500 deri në 1 mijë kontrata në ditë për vendosjen e kasave.